Që shqiptarët të bëhen
të gjithë bashkë në një mendje, kjo duket si një barcaletë nga ato që të bëjnë
të mbash barkun me dorë nga të qeshurat! Deri më sot nuk ka pasur ndonjë event,
ngjarje, apo personazh që të na bashkojë kaq shumë sa bëri një vajzë
19-vjeçare, nga Shkodra, mbrëmjen e së enjtes. Ajo quhet Elhaida Dani dhe nëse
deri disa javë më parë ky emër për shumë prej jush nuk kishte ndonjë kuptim të
veçantë, sot po i njëjti emër mban nga pas epitete të pafundme, superlativa,
fjalë pozitive që askush nuk i vë në dyshim, që burojnë nga zemra e çdo
shqiptari. Nuk ka ndodhur as për festa kombëtare, as për përfaqësime në
kompeticione ndërkombëtare muzike, apo ato futbollistike, as për thirrje
bamirësie që shqiptarët të qëndrojnë të gjithë, pa përjashtim, të ngujuar
përpara ekranit të televizorit, apo të kompjuterit në pritje të një verdikti
përfundimtar, në pritje të një përgjigjeje, të një emri, i cili kur u thirr nga
prezantuesi bëri që të gjithë të hidhen pupthi nga divanët e kolltukët, të
bërtasin me të madhe dhe të derdhin lot gëzimi, për fituesen e tyre të zemrës,
Elhaida Danin.
Elhaidën e kam njohur
për herë të parë, personalisht, fiks një vit më parë, pas fitores në “Top
fest”. Kisha dëgjuar edhe më parë për të, dija që kishte fituar “Star Academy”,
që kishte marrë pjesë ne disa konkurse ndërkombëtare dhe madje kishte dalë me
çmime të para prej tyre, kisha bërë disa shkrime për këto arritje, ama kur
fitoi një çmim të rëndësishëm si “Top fest” edhe jehona ishte më e madhe. Më
kujtohet si tani se sa me drojë i kam rënë telefonit ditën e nesërme të
fitores, për t’i kërkuar një intervistë për gazetën “Paloma”, por edhe për ta
ftuar në emisionin radiofonik që drejtoja. Me kaq shumë vite punë në këtë
fushë, e di shumë mirë se si shndërrohen personazhet brenda natës nga njerëz të
thjeshtë, të çiltër e modestë, në disa personazhe arrogantë, mendjemëdhenj dhe
harbutë. Por ky nuk ishte rasti i Elhaidës. Ajo jo vetëm që iu përgjigj shumë
pozitivisht të dyja ftesave, por nuk harroi të falënderonte për përkrahjen dhe
interesin që po tregonim. Të them të drejtën u habita! Kishte akoma 19-vjeçare
të tilla me këmbë në tokë? Por habia ishte edhe më e madhe ditën që u takuam,
tri ditë pas fitores së “Top fest”-it. Elhaida u shfaq në ambientet e radios e
veshur me atlete, me një palë xhinse dhe t-shirt të gjatë, me flokët e kapur
bisht dhe pa asnjë grimë make up në fytyrë. Një vajzë e thjeshtë, së cilës
droja i lexohej qartë në sy; i dallohej në zë teksa artikulonte fjalët, ndërsa
vazhdonte të kishte ende dyshim nëse e gjithë ajo që po i ndodhte ishte e
vërtetë, apo thjesht një ëndërr.
Ky është imazhi i
Elhaidës që unë do të kem gjithmonë në mendje. Edhe kur ajo të shndërrohet në
një divë të madhe jo vetëm të skenës italiane, por të asaj botërore, gjë që jam
e sigurt që nuk do të vonojë të ndodhë. Sepse nuk është ai zëri i madh, i
fuqishëm, i ëmbël, i fortë, i butë, vibrues, i dhembshur, që merr qindra
ngjyrime në minutë dhe të dhuron mijëra emocione, dhuntia më e madhe që Elhaida
ka është përulësia! Kjo vlerë kaq e çmuar, të cilën janë të rrallë njerëzit, aq
më shumë artistët që e kanë. Ajo përulësi që mua më bëri aq shumë përshtypje që
në takimin e parë me Elhaidën, e në gjithë bashkëbisedimet tona të mëpasshme.
Ajo përulësi që edhe trajneri i saj, i madhi Ricardo Cocciante, ia vuri në pah
si vlerën kryesore që mbart si artiste!
aulona ma ke bere mishin si i thone puckurriza puckurriza :D jo sinqerisht eshte nje goce sh e mire elhaida. lum ne qe e kemi :))
ReplyDeletevajza si elhaida jane te rralla
ReplyDeleteNe fakt ishte vertet cudi se si te gjithe u bashkuan per te. Ajo ne rradhe te pare fitoi per veten e saj dhe pastaj per Shqiptaret. I uroj cdo gje te mire nqs e takon perseri-thuaja :)
ReplyDeleteMe kete shkrim ma bere mishin kokra kokra e me le pa fjale.
ReplyDeleteBravo per Elhaiden e bravo per ty.