Thursday, May 16, 2013

Ekranet plot, mesazhet bosh




Frymëzim për temën e kësaj jave u bë biseda me një mikeshën time. Në fakt, zakonisht frymëzimet më të mira vijnë pikërisht nga bisedat mes mikeshash. Janë debatet me to - që shpesh janë aq të zjarrta, saqë në fund kupton që ke mbetur pa zë, që damari jeshil që ke në qafë është trashur më shumë se zakonisht dhe gjaku po të pulson fort në tëmtha - që të frymëzojnë për të shkruar gjëra të mëdha. Edhe pse kjo që unë do të shkruaj nuk është ndonjë gjë edhe aq e madhe, as ndonjë shpikje dhe as ndonjë kërkim që më ka marrë muaj të tërë hulumtimi, është një mendim modest, i një njeriu që ka ca mend, ka parë e di ca gjëra.
Më ndodh shpesh që, teksa bëj zapping me telekomandën në dorë, duke i marrë me radhë të gjitha stacionet shqiptare, ndalesën përfundimtare ta bëj te “Canale 5” ose ndonjë ekran tjetër italian. Ajo që në përgjithësi më transmetojnë ekranet shqiptare dhe emisionet që shfaqen në to është një ndjesi boshllëku dhe kotësie, në rastin më të keq ose një përsëritje e lodhshme e njëra-tjetrës në rastin më të mirë. Po të njëjtat spektakle humori, po të njëjtët emisione pasditeje e mëngjesi, po i njëjti format emisionesh dreke për të rinj, po të njëjtat formate blerë nga të huajt, po të njëjtët talk show... Dhe mbi të gjitha, të njëjtët personazhe, të cilët, në rastin më të mirë, i sheh me një diferencë kohe prej një dite nga njëri emision në tjetrin, ndërsa në rastin më të keq i shikon në dy televizione, në dy emisione të ndryshme, në të njëjtën orë, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre bëhen me regjistrim.
Më duket sikur pjesa më e madhe e prodhimeve televizive në Shqipëri bëhen për inat të konkurrencës. Ai blen patentën e atij spektaklit? Pse çfarë kam unë më pak, që mos të blej edhe unë patentën e atij spektaklit tjetër, që në thelb është i njëjtë si i pari, por vetëm emri i ndryshon? Pastaj shikon disa emisione që kanë vite në transmetim dhe ti, sado që përpiqesh, nuk e kupton dot se si është e mundur që të kenë kaq jetëgjatësi prodhime të tilla, të dështuara që në gjenezë! Për të mos folur për mungesën e balancës. Duket se ajo e mesmja e artë, për të cilën flasin të gjithë dhe që është idealja për çdo punë të mirë, nuk ekziston fare si koncept në mendjet e autorëve, producentëve dhe regjisorëve të ekraneve shqiptare. Emisionet që shohim janë ose shumë të mërzitshme, të vakëta, pa jetë, monotone, gjoja elitare dhe shik; ose ekstremi tjetër, një gjallëri, entuziazëm, rrëmujë dhe banalitet i pakuptimtë.
Prandaj, shpëtimi në këto raste është një kalim i shpejtë tek emisionet italiane. Të paktën, ato minuta në dispozicion që i kushtoj televizionit të mos të çohen dëm dhe të jenë të shpenzuara mirë.
Më vjen keq, pasi jam e sigurt që ka plot njerëz të aftë, të talentuar, që do të bënin gjëra vërtet cilësore, vetëm po t’u jepej mundësia. Po ç’mundësi mund t’u jepet vallë këtyre të rinjve, të talentuar dhe me vullnet për punë kur ekranet janë kthyer në monopol? Ku dy-tre persona janë ata që realizojnë emisionet dhe spektaklet? Ku nuk ka një hierarki dhe një ndarje punësh të mirëpërcaktuar, por prezantuesi bën edhe regjisorin, edhe kryeredaktorin, edhe autorin? Epo, në këtë rast nuk kemi si të presim gjëra të bukura në ekranet tona, sepse, sado i talentuar dhe me eksperiencë që të jesh, vjen një pikë që shterojnë idetë dhe frymëzimi. Televizioni ka nevojë për gjenerim idesh dhe njerëzish! Ndryshe do të vazhdojmë të mbetemi në këtë fazë stanjacioni, ku ekranet mund të jenë plot, por ajo ç’ka përcjellin te publiku është shumë bosh...




2 comments:

  1. Jam dakort me ty,po duke qene se jetoj ne IT duhet te them qe edhe televizioni italian po kalon nje fare krize....i ka rene shkelqimi dhe interesi i njerezve.
    Ajo qe me acaron mua ne AL jane edicionet e lajmeve,10 edicione ne dite -.-'
    S'kane faj pastaj i madh e i vogel qe merren me politike.Ne IT jep 4: ne mengjes,ne dreke,ne darke dhe nje ne 11 te nates.Emisionet e politikes pastaj ne TV shqiptare.... -.-'
    M.

    ReplyDelete
  2. me fal por sduhet te pergjithesosh rastet mendoj une. ka plot formate te mira qe sado qe nuk jane unike e realizojne shume mire kerkesat e publikut te gjere. une personalisht ndjek formatet e tipit kenga megjike, e djela shqiptare apo e diel, apo dhe programin e aldos ne mengjes kur mundem. dhe sinqerisht nuk me terheq asgje me shume tek italia uno apo canale cinque me shume se te siperpermendurat. nuk e ndaj te njejtin mendim me ty dhe nuk mendoj se e ndajne shumica e shqiptareve neper bote qe blejne digitalbin per te pare kanale shqiptare..

    ReplyDelete