Saturday, May 4, 2013

Justifikimi eshte per dembelet...

Edhe një herë tjetër, për të disatën herë radhazi, dua të flas për sportin ose më saktë për aktivitetin fizik dhe për benefitet e tij. Nuk dua të bëj rolin e ekspertes, sepse nuk jam e tillë, ama mendoj se me aq mundësi sa kam, është mirë ta shfrytëzoj për të dhënë disa mesazhe pozitive, siç duhet të bëjmë të gjithë ne, gazetarët, që kemi kaq shumë mundësi dhe hapësira nëpër mediat ku punojmë dhe që, për fat të keq, çdo centimetër të faqeve të gazetës e mbushim me lajme politike, që përveçse na stresojnë më shumë nuk sjellin asgjë pozitive për jetët tona.
Është e premte, ora 9.30 e mëngjesit dhe unë kam vetëm 50 minuta kohë për të përfunduar këtë shkrim dhe ndonjë punë tjetër të vogël, përpara se të më shkojë orari për të vajtur në palestër. Dhe më pas vetëm 50 minuta të tjera për t’i shfrytëzuar në maksimum, përpara se të shkojë orari për emisionin në radio, për tek i cili duhet të “fluturoj” me shpejtësinë e erës sapo të mbaroj palestrën. E di që shumë prej shumë do të mendojnë, 50 minuta? S’ia vlen fare, më mirë nuk shkoj fare sesa të rri vetëm 50 minuta dhe kështu atë 50 minutëshin e vyer e shpenzon ulur në ndonjë kafene, duke bërë thashetheme. Gabim, sa gabim! E di sa shumë gjëra të vlefshme mund të bëhen në atë 50 minutësh për trupin dhe për mendjen? Mund të shkoni në palestër, mund të shkoni në një kurs kërcimi, mund të dilni për vrap apo për ecje të shpejtë nga liqeni, mund të merrni ndonjë dvd dhe të bëni ushtrime në shtëpinë tuaj. Gjithçka, gjithçka është më e vlefshme për t’i shpenzuar ato 50 minuta sesa të uleni në kafene dhe të rrini.
Dëgjoj shpesh njerëz që duan të merren me aktivitet fizik, por nuk kanë kohë. Ua them hapur, në sy, që është thjesht justifikim, justifikim i dembelëve dhe përtacëve, që mendojnë se gënjejnë veten për të qenë me ndërgjegje të qetë sa herë dalin para pasqyrës dhe nuk u pëlqen ajo që shikojnë. “Unë dua…, por s’mundem”. S’mundem, s’di, s’dua... më duket si ai personazhi i kukullave, që më tregonte mami kur isha e vogël, me atë vajzën përtace që për çdo gjë që i kërkonin të bënte thoshte “s’di” ose “s’mundem”. Ja ku po e them pra, që nëse ke dëshirën e gjen edhe kohën!
Në gazetë vijnë shpesh mesazhe apo letra nga persona mbi peshë që kërkojnë këshillë se si të dobësohen. “Më tregoni ndonjë dietë” është kërkesa e parë që bëjnë të gjithë. Nuk e kuptoj përse e kanë kaq të lehtë të torturojnë veten me dieta ekstreme që të gjithë e dimë në fund nuk do t’i çojnë askund. Sepse të gjithë ekspertët, duke filluar nga vetë dietologët, këshillojnë një kombinim të një diete të shëndetshme ushqimore dhe aktivitetit fizik. Dhe kur them aktivitet fizik, nuk e kam fjalën thjesht të regjistrohesh në palestër dhe të vish për të bërë muhabet. Siç më ndodhi pak ditë më parë, kur dy vajza, gjatë kohës që kërcenin, bënin edhe muhabetet e vjehrrave dhe në fund iu ankuan zyshës se nuk ishin bërë fare me djersë dhe nuk ishin lodhur shumë. Më vinte për të qeshur…Kjo është kategoria e atyre personave që kohën arrijnë ta gjejnë për të shkuar në palestër, ama e shfrytëzojnë keq! Dhe në fund ankohen se nuk ndihen fare mirë me veten dhe trupin e tyre dhe se as aktiviteti fizik nuk po u jep rezultat!
Epo, vajza dhe djem, do disiplinë kjo punë! Dhe nuk e kuptoj pse trembeni kaq shumë nga kjo fjala disiplinë! Disiplinë do të thotë i vë një qëllim vetes dhe gjen të gjitha format për të arritur atë qëllim! Kaq e thjeshtë është!
Dhe hajde tani, mbaroni së lexuari postin, merrni tutat dhe atletet dhe dilni për vrap! Bëjani këtë dhuratë vetes!









10 comments:

  1. Super shkrim. Nuk do i kuptoj ndonjehere njerezit qe kerkojne te dobesohen duke ndenjur dhe duke i privuar vetes cdo lloj ushqimi.
    Ushqimi eshte nje nga mrekulliti qe na ka dhuruar natyra. Pse t'ja mohojme vetes kur mund te shfrytezojme vetem 50 min (si ne rastin tend) ose edhe me pak, cdo dite, per tu ndjere mire me veten tone.
    Per mua je kthyer ne burim frymezimi per sportin :D

    ReplyDelete
    Replies
    1. Dhe une nuk mund vecse te jem shume e lumtur per kete fjaline e fundit qe ke shkruar....:)

      Delete
  2. Obobo na zure ngushte ketu Aulon :/ Fillimi eshte i veshtire se pastaj te mesohet trupi e ta kerkon vete :) Kam ca plane per sot,po kismet do dal per vrap nga darka....i pari vrap per kete vit :/
    M.

    ReplyDelete
  3. Ke harruar te nxjerresh muaji prill ne instagram...

    ReplyDelete
  4. Me duhet te them qe ke te drejte although i hate it :P

    ReplyDelete
  5. Me duhet te pranoj qe ke te drejte although i hate it :P

    ReplyDelete
  6. TE LUMTE MOJ VAJZE PER KETE SHKRIM INKURAJUES

    ReplyDelete
  7. sa te drejte qe ke, sidomos tani qe doli dielli kujtohemi per palestren :( po vesh tutat dhe po shkoj per vrap anes detit ;)

    ReplyDelete
  8. Disiplin moj disiplin, po cte bej qe vetem ne kete drejtim skam displin...e di,e di cpo mendon...:P Cdo vit gjate janarit dhe shkurtit them se vetem te vije ajo pranvera pa flutur do behem.....pastaj kur vjen frymezohem nja 2 jave dhe patsaj me bien baterite.....ty bravo te qoft moj moter

    ReplyDelete