Saturday, August 17, 2013

Jonida Maliqi: “Kam gjithçka kam dashur”

Sa me shume kalon koha, aq me shume rritet deshira per ta pasuruar kete blog me gjera te reja. Keshtu, kam vendosur qe here pas here, krahas posteve personale, te sjell edhe poste qe kane lidhje me personazhe te ndryshem, kryesisht intervista te realizuara nga une vete. Kuptohet do te perzgjedh ato intervista dhe personazhe qe vertet ja vlejne dhe qe kane gjera te bukur per te thene. Sic eshte kjo interviste e Jonida Maliqit, botuar kete te shtune ne gazeten Paloma dhe qe per mua eshte nje nder intervistat me te bukura qe kam lexuar kohet e fundit. Jo sepse e kam bere vete, por sepse Jonida me te vertete qe ka folur shume hapur, si asnje here tjeter dhe mbi te gjitha si rralle personazhe e bejne. Uroj t'ju shijoj kjo interviste, po aq sa me shijoi edhe mua qe e bera. Si gjithmone, pres mendimet tuaja :)



Jonida, jemi në mesin e një vere të nxehtë. Si ka qenë kjo verë për ty?
-Eh, si ka qenë kjo verë! Herë e çuditshme, herë relaksuese, herë pak stresuese. E nisa me shumë ritëm, duke qenë se në fillim të kësaj vere publikova edhe klipin tim “Sonte” me Dj Blunt dhe Real 1, më pas direkt pas klipit nisa pushimet me familjen time - pushime totalisht ndryshe nga herët e tjera.

Di që fillimisht ke pushuar disa ditë me djalin, mamanë dhe një mikeshën tënde në Turqi e më pas, javët e fundit, ke zgjedhur t’i kalosh në Jug, në Dhërmi me familjen. Shumëkush mund të pyesë, përse Jonida, që ka mundësi të shkojë në çdo vend të botës që dëshiron, zgjedh Turqinë dhe Shqipërinë? Ka ndonjë arsye?
-Dubain, Montekarlon apo gjithë vendet e tjera ku kam qenë dhe që nuk dua t’i përmend, i kam zgjedhur kur kam qenë vetëm me tim shoq, pa ardhur akoma në jetë djali. I kam gëzuar maksimalisht pushimet në këto vende dhe besoj se do t’i gëzoj sërish vendet e tjera që akoma nuk i kam eksploruar, por kur të rritet edhe pak Dani. Kur bëhesh nënë dihet që në radhë të parë vihet qetësia e fëmijës dhe më pas kënaqësia personale.

Jugun e Shqipërisë ke zgjedhur edhe si vendin ku ke realizuar videoklipin e këngës "Sonte", e cila mund të themi pa frikë se është një ndër hitet e kësaj vere. E prisje që kënga do të kishte një impakt kaq të madh ne publik?
-Unë e doja (qesh). Dëshiroja shumë që të kishte këtë impakt, por si në çdo fillim pune asnjëherë nuk e di nëse do t’i arrish pritshmëritë e tua, e nëse do të marrësh mbrapsht gjithë punën dhe investimin që ke bërë. Unë edhe zgjatjen e madhe që i bëra publikimit të klipit e bëra sepse nuk u ndjeva komode dhe e sigurt me produksionin e parë. Doja që të realizoja më të mirën e mundshme dhe në fund ndihem shumë mirë që gjithë kjo pritje e gjatë pati një rezultat pozitiv dhe që njerëzit e pritën me dashamirësi.

Në fakt, kjo pritja e gjatë u diskutua shumë dhe u bë çështje publike, pasi kudo nëpër media lexoje që Jonida nuk mbeti e kënaqur me xhirimet e klipit. Çfarë ndodhi realisht? Çfarë kishte që nuk shkonte me ato xhirime, sepse nuk u mësua asnjëherë?
-Në fakt, unë e bëra qëllimisht vetë kaq të madhe. Për 21 vjet në skenë, kam qenë gjithmonë shumë e drejtpërdrejtë me publikun dhe kur nuk më kanë pëlqyer gjërat i kam thënë drejtpërdrejt në ekran, duke mos preferuar kurrë të shtirem apo të bëj hipokriten. Unë klipin e kisha ideuar totalisht ndryshe me produksionin e parë, sepse donim ta publikonim edhe pa filluar mirë vera. Kishim menduar diçka grafike, por të një niveli që më vonë e kuptova që ishte e vështirë të realizohej në Shqipëri. Jo më kot vendosa të bashkëpunoj me një staf shqiptaro-grek, por edhe ata nuk i qëndruan besnik idesë që ne kishim. Kështu, në momentin që nuk isha e bindur vetë për ta paraqitur klipin në publik, rrezikova dhe e thashë publikisht që nuk ndihesha gati për ta publikuar klipin dhe që do të bëja xhirime të tjera, për të qenë aty ku dëshiroja unë. Jo më kot në xhirimet e dyta zgjodha Jugun, jo më kot zgjodha “Havanën”, festën me shkumë, sepse këto janë trendet e momentit dhe gjëra që të rinjtë kanë qejf të bëjnë në verë.

Meqë përmende “Havanën”, e dëgjon këngën tënde kur je në klube? Çfarë ndjesie provon?
-Më vjen shumë turp (qesh). Mbaj kokën ulur sa të mbarojë.

Vetëm këtë përgjigje nuk e prisja, unë mendoja se hipje mbi banak dhe kërceje e këndoje…
-(Qesh) Jo, jo, jo, harroje!

Pas disa bashkëpunimeve me Big Bastën, këtë herë ke zgjedhur sërish një dyshe që njihet për sukseset e vazhdueshme në rrymën hip-hop. Përse zgjedh gjithmonë hip-hopistë për bashkëpunime?
-Unë gjithmonë jam cilësuar si një artiste që guxon, sidomos me imazhin e saj, por këtë gjë kam bërë edhe me muzikën. Gjithmonë kam guxuar me rryma të ndryshme muzikore, shumë vite më parë me alternative, me rrok, me baladat që janë shpirti im, me muzikë paksa mesdhetare, etnofolk etj. Ndërkohë që së fundmi, duke marrë për shembull edhe artistet nëpër botë, që këngët verore shpesh i sjellin në bashkëpunim me rrepera, me hip hop-ista, doja që të vija pak më ndryshe. Me Big Bastën jemi munduar të sjellim gjithmonë diçka reale, edhe në tekstet e këngëve kemi dashur të pasqyrojmë realitetin, por ato anë të errëta të realitetit që na rrethon. Ndërsa me Dj Blunt dhe Real 1 donim të sillnim diçka më pozitive, diçka më gazmore dhe festive. Ishte bashkëpunimi im i parë me artistë kosovarë, por menjëherë e gjetëm gjuhën e përbashkët artistike, madje mund të them që ata tashmë janë edhe miqtë e mi.

Po për bashkëpunimin apo këngën e radhës ke menduar? Si do të jetë dhe kur do të vijë ajo?
-Në fakt, Blunt-i më ka premtuar disa këngë, por kjo nuk do të thotë që do t’i këndoj sërish me djemtë. Besoj se në këngën e radhës, që do të dalë në periudhën e dimrit, do të më shikoni vetëm, ashtu siç unë dua dhe më pëlqen, me një baladë. Mund të them vetëm që do të jetë krejtësisht ndryshe nga “Sonte”.

Na bërë kuriozë tani…
-Po unë prandaj e thashë, që t’ju bëja kuriozë, ia arrita qëllimit (qesh).

Ndryshe nga gjithë pjesa tjetër e këngëtareve, ti gjatë verës nuk je e angazhuar me koncerte, sepse kështu ke zgjedhur ti vetë. Lind pyetja, po ata fansa që duan të jenë në kontakt me ty dhe të dëgjojnë këngët e tua nga afër, ku mund të të gjejnë?
-Ndryshe nga shumë vende të tjera të botës, këtu te ne nuk funksionojnë turet ku ti ke një staf prej disa vetësh nga pas, ku mund të organizosh koncerte “live” nëpër sheshe të ndryshme të qyteteve. Këtu i vetmi kontakt që mund të kesh me publikun, përveç skenës së festivaleve apo të koncerteve televizive, është të këndosh klubeve. Unë e kam thënë shumë herë, këtë gjë ma kanë kërkuar që në moshën 15-vjeçare, por gjithmonë e kam refuzuar. Prindërit e mi kanë investuar shumë që unë të shkollohem për muzikë. Krahas kësaj, jeta më ka përkëdhelur dhe nuk më është dashur të bëj këtë kompromis me veten.

Ka pasur ndonjë moment kur je penduar që e ke bërë këtë zgjedhje?
-Jo, sepse unë jam rritur me të tjera parime. Mendoj se arti i të kënduarit është krejt tjetër. Por ka pasur edhe momente kur kam menduar se si do të ishte po të isha bërë edhe unë pjesë e këtyre eventeve dhe e kësaj forme të qeni në kontakt me publikun, duke kënduar nëpër klube, por të them të drejtën nuk e gjej veten. Unë nuk jam kundër komerciales, por për fat të keq komercialja po vulgarizohet shumë.

Ose po tallavazohet…
-Po, por ajo që mua më trishton më shumë është degjenerimi i muzikës. Po të shohësh, edhe këngëtaret më të suksesshme janë ato që nxjerrin më shumë mish. Dhe për këtë më vjen shumë keq, sepse ne kemi me të vërtetë këngëtare shumë të mira, por nëse nuk bëjnë ekzibicionet e duhura nuk janë të suksesshme dhe të klikuara. Unë këtë gjë, kur nuk e kam bërë deri 20 vjeçe, nuk do ta nis tani...

Meqë përmende klikimet, e ndjen këtë konkurrencën e këngëtareve për klikime, pasi kohët e fundit lufta më e madhe mes këngëtareve duket se bëhet pikërisht për klikime?
-Menjëherë sapo doli kënga u nisa me pushime dhe nuk kam pasur kohë dhe mundësi të shikoja as klikimet e mia, as të kolegeve. Këto ditë që jam kthyer në Tiranë i mora të gjitha me radhë, klikimet e mia, të kolegeve, pashë edhe klipet e huaja që kanë dalë, jam azhornuar shumë mirë (qesh). Sërish unë mbetesha pas shumë këngëtareve të tjera, të cilat i vlerësoj për punën që bëjnë, por që prapë mua më bëjnë të mendoj që shijet e publikut janë shumë të çuditshme, duke ndryshuar shumë nga ajo që unë gjithmonë kam pretenduar për veten time. Unë mendoj që në radhë të parë një artist duhet të ndihet mirë me veten e tij, të jetë vetvetja dhe 100% i sigurt në atë që bën. Nëse ti ndihesh i sigurt plotësisht në vlerat e tua, publikun e bën gjithmonë për vete, sado i vogël të jetë ai, pa pasur nevojë të bësh pakt me djallin.

Shumë artistë në një moment të caktuar fillojnë t’i shkruajnë vetë këngët e tyre, qoftë muzikën, apo tekstet. E ke menduar ndonjëherë veten si kantautore?
-Më vjen mirë që ma bërë këtë pyetje (buzëqesh). Unë kam realizuar një këngë timen, ku jam shfaqur si kantautore, “Vlej për ty”. Por përveç kësaj mund t’ju them që kam realizuar shumë këngë, të cilat i kam të arkivuara në shtëpinë time. Janë materiale të ruajtura me shumë fanatizëm, madje edhe im shoq njeh shumë pak prej tyre, vetëm ime motër i ka dëgjuar të gjitha. Si të gjitha qeniet e tjera njerëzore edhe unë kam uljet dhe ngritjet e mia morale, psikologjike dhe inspirimi më vjen pikërisht atëherë kur nuk jam mirë moralisht. Në mënyrë organike më vjen melodia, teksti dhe të gjitha këto i kam të hedhura në një bllok që e ruaj, siç e thashë, me shumë fanatizëm. Janë këngë pak dramatike dhe të zymta.

Po pse nuk ke publikuar asnjë prej tyre?
-Sepse do të më duket sikur do të jem një libër i hapur për të gjithë  pastaj (buzëqesh). Megjithatë, në një të ardhme, nuk e përjashtoj mundësinë që kjo të ndodhë.

Po sikur ta fillosh duke bërë këngë për kolegët e tu, derisa të ndihesh gati për t’i kënduar vetë këngët e tua?
-Jo, sepse muzika që unë bëj është shumë personale dhe shumë e ndierë. Mendoj se ashtu siç e ndiej unë nuk ka për ta ndierë askush tjetër. Për më tepër, kur jam kaq fanatike ndaj gjërave që kam krijuar vetë, si mund t’i bëj publike dhe t’ia jap dikujt tjetër?


Një karrierë e suksesshme shumëvjeçare në muzikë, një familje e shëndetshme, një biznes që sa vjen e rritet... një jetë si në përralla kjo e Jonidës, janë të shumtë ata që e mendojnë këtë. Sa e vështirë ka qenë për t'i arritur dhe mbi të gjitha për t'i mbajtur të gjitha këto?
-Në mënyrë absolute që ka qenë e vështirë. Unë mendoj se i kam pasur idetë e qartë që në moshë të vogël. Që në fëmijëri prindërit e mi menjëherë e zbuluan talentin dhe dëshirën time të madhe për të kënduar dhe nuk hezituan që të më dërgonin në shkollë muzike dhe krahas shkollës së muzikës, edhe në kurse të ndryshme private për piano apo solfezh. Ata janë munduar gjithë kohën që unë të ruaj ato bazat elementare të të qenit një person me baza dhe norma dhe kjo për mua ka qenë pjesa më e rëndësishme. Krahas kësaj, mendoj edhe që kam rastisur në momentin e duhur me personat e duhur, megjithatë gjërat asnjëherë nuk ndodhin rastësisht në jetë, duhet të dish t’i fitosh, duhet të dish t’i mbash dhe duhet të dish t’i realizosh.

Po diçka që nuk shkon ashtu siç do të doje ka në këtë "jetë përrallash"?
-Si çdo individ, kam pasur edhe unë uljet dhe ngritjet e mia në të gjitha marrëdhëniet, por është shumë e rëndësishme të duash veten tënde. Nëse ti do veten tënde, atëherë pa diskutim që do të jesh e mirë edhe me të tjerët. Nëse ti nuk do veten tënde, atëherë patjetër që do të shkatërrosh veten dhe do të kesh deficite.

Cila është mënyra më e mirë për të kaluar momentet e vështira?
-Duke reflektuar me veten. Unë të paktën këtë bëj. Fatkeqësisht, ime motër ndodhet larg, pasi ajo ka qenë krahu im u djathtë, një mbështetje e rëndësishme për mua. Patjetër që nuk hezitoj ta marr në telefon sa herë që kam nevojë, por në momentin që krijon familje pastaj çdo njeri ka streset dhe problemet e veta. Kur rritesh kupton që jo çdo problem tëndin mund t’ua mbartësh edhe të tjerëve, ndaj më e mira është të reflektosh me veten, të biesh në një konkluzion ku ti nuk mund të dëmtosh si veten tënde, edhe të tjerët.

Ka njerëz që përballë problemeve vendosin të largohen ose t’i lënë të zgjidhen vetë. Ka të tjerë që vendosin të qëndrojnë dhe të luftojnë. Ti në cilin grup bën pjesë?
-Unë luftoj dhe luftoj shumë fort madje (qesh). Të largohem as që bëhet fjalë, megjithatë jam edhe e parimit që disa gjëra i duhen lënë kohës. Unë kam një moto: “Mos bëj keq, që të mos gjesh keq”. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në realitetin shqiptar ndodh shpesh që ti je shumë e lumtur, del nga shtëpia e lumtur, me energji pozitive dhe ta prish gjakun një njeri apo një ngjarje nga më banalet. Megjithatë, unë mundohem gjithmonë të mos ndikohem nga këta faktorë, që ndoshta deri dje i shikoja majë më majë, por kur bëhesh nënë kanë të tjera gjëra rëndësi dhe vlera.

Së fundmi të shohim në formë të shkëlqyer fizike. Besoj duhet të kesh punuar fort për të arritur këtu ku je sot, apo jo?
-Unë kam bërë një gjë shumë të mirë, i kam dhënë shumë forcë vetes. Që në momentin e shtatzënisë, kur filluan pyetjet nga gazetarët nëse kisha frikë se do shëndoshesha, se do e kisha të vështirë të kthehesha sërish në formë, që nuk do kisha më kohë për veten, unë e kisha shumë të qartë në mendje që nuk do të ndodhte kështu. Për mua një grua e mirë, një nënë e mirë, një femër në karrierë, mbi të gjitha nuk duhet të harrojë dhe të lërë pas dore veten. Nuk më ka munguar kurrë vullneti dhe e dija që në momentin që do t’i vija një pikësynim vetes, do ia arrija. E shijova në maksimum shtatzëninë. Mund të them që kam ngrënë gjëra që kisha vite që ia privoja vetes. Kam ngrënë “Snickers” për ditë (qesh). Më pas i vura qëllim vetes që do dobësohesha. Bleva një step dhe nisa të ushtrohem çdo mëngjes nga 45 minuta deri në një orë, gjithashtu fillova të kontrolloj dhe ushqimin. Fillimisht bëra vetëm fazën e atakut të dietës Dunkan, për aq kile sa doja të hiqja, më pas i hoqa kilet gradualisht dhe tani e di se cilat janë ato ushqime që duhet t’i evitoj dhe që i bëjnë keq organizmit tim.

Abuzon ndonjëherë me ushqimin?
-Patjetër, nëse nuk do të abuzoja asnjëherë atëherë nuk do të shijoja asgjë. E ç’kuptim ka pastaj? Megjithatë, edhe kur abuzoj, tregohem më pas e kujdesshme në ditët në vijim.

Shumë nëna të reja, ardhjen në formë pas lindjes së një fëmije e kanë pjesën më të vështirë, aq sa ndonjëherë rrezikojnë dhe depresionin sepse nuk ndihen më mirë me trupin dhe veten e tyre. Cila do të ishte këshilla që Jonida, si një person shumë i dashur dhe me shumë influencë, do t'u jepte të gjitha këtyre grave?
-Që duhet të lexojnë shumë, si në periudhën gjatë shtatzënisë, ashtu edhe më pas. Për fat të mirë sot informacioni është i lirë dhe të gjithë mund të gjejnë pa fund në internet. Gjithashtu nuk duhet të ndalojnë për asnjë ditë ecjet. Unë kam ecur shumë, sidomos xhirot nga liqeni, pasi të ndihmojnë shumë si për anën psikologjike, për atë stresin pas lindjes që prek shumë nëna, por edhe për të ruajtur formën e mirë fizike. Nuk ka ditë që nuk e nxjerr tim bir, edhe pse mund të jetë breshër, shi apo temperaturat 40 gradë, gjej gjithmonë kohën e duhur dhe nuk rri pa dalë. Dal gjithmonë në këmbë sepse nuk më bën mirë vetëm mua, por i bën mirë edhe atij.

Edhe unë, si mijëra fansa të tjerë, të ndjek çdo ditë në Instagram dhe mund të them që jam bërë një e "droguar" e faqes tënde. Por mesa kam vënë re, edhe ti vetë e freskon Instagramin vazhdimisht. Si arriti një person që teknologjinë dhe sidomos këto rrjetet sociale nuk i ka pasur aspak qejf, të apasionohet aq shumë pas tyre?
-Është e vërtetë kjo që thua. Unë kam pasur vetëm një website, për të cilin u kujdesa vetëm për pak kohë, por pastaj e lashë pas dore. Edhe kur u hap Facebook-u dhe u bë masiv në Shqipëri, mua më dukej absurd si ide. Mbase edhe ngaqë në atë kohë kisha shumë impenjime, po hapja biznesin tim, përveç kësaj kisha krijuar një ide nga shoqet e mia që kishin Facebook që njerëzit e përdornin për të nxjerrë gjithë vreret, marazet, streset, nuk më shkonte fare në mendje të kisha një faqe të tillë. Për Instagramin ka insistuar një ndër mikeshat e mia më të mira, duke më thënë që po ta hapja do të kisha shumë sukses. Sa më shumë insistonte ajo, aq më shumë refuzoja unë (qesh). Më në fund ma mbushi mendjen duke më thënë që do ta hapte ajo dhe do ta menaxhonte vetë faqen. Që ditën e parë kur vendosa një foto, sipas informacionit të saj, sepse unë isha komplet jashtë, më tha se kishte pasur shumë sukses, shumë ndjekës. Mund të them që javën e parë ajo kujdesej për çdo gjë, unë nuk dija akoma si ta përdorja siç duhet. Bëja foto, ia dërgoja asaj që t’i postonte, një lëmsh i vërtetë (qesh). Por pak nga pak u bëra edhe unë e varur. Dhe ja, kjo është historia ime e dashurisë me Instagramin (qesh).

Të qenit në kontakt të drejtpërdrejtë me fansat e tu patjetër që është një gjë shumë e bukur, por mund të ketë edhe ajo rreziqet e veta. Ka pasur momente kur ky kontakt i drejtpërdrejtë të ka dhënë emocione negative?
-Kam vënë re që këtu njerëzit nuk janë aq malinj dhe negativë sa në Facebook. Përveç këtij fakti, ti mund ta administrosh vetë më së miri faqen. Kuptohet që ka pasur edhe raste kur njerëzit nuk kanë bërë komente brenda normave të mia dhe unë menjëherë i bllokoj. Mendoj që kjo është forma më e mirë që ata të mos jenë pjesë përbërëse e Instagramit tim. Duke e bërë këtë sa herë që më kanë cënuar, kam vërë re që njerëzit kanë filluar të jenë të edukuar. Për mua nuk është normale të pranosh dhe të lejosh këdo të komentojë sipas qejfit apo në anonimat.  Përveç kësaj, Instagrami ka qenë një mënyrë shumë e mirë për t’i bërë reklamë biznesit tim dhe ka funksionuar më së miri.


Si një personazh publik, ti ke shumë fansa që të adhurojnë, por unë jam kurioze të di, po Jonida Maliqi fanse e cilit personazh është?
-Gjithmonë idhulli im që në fëmijërinë e hershme ka qenë Michael Jackson. Këtë dashuri timen e kanë ditur të gjithë në atë kohë, edhe fëmijët e lagjes. Dhe një herë më kanë gënjyer duke më thënë që kishte ardhur Michael dhe që ndodhej te Lana. Unë mbaj mend që kam kaluar rrugën vetëm me vrap, sepse e mora për të mirëqenë, ndërkohë që ata filluan të qeshnin të gjithë, sepse kuptohet që ishin tallur. Kam qarë shumë jo vetëm sepse ata më vunë në lojë, por edhe sepse për një moment mendova që ishte e vërtetë. Pastaj kuptohet që çdo shok ose shoqe që donte të rrinte me mua, duhej të më jepte ndonjë foto ose poster të Michael-it (qesh). Ky adhurim ka zgjatur edhe më pas, kur u rrita, kam lexuar pa fund për të, I kam blerë gjithë albumet e tij, kur ndërroi jetë kam qarë shumë. E kam adhuruar sepse ka qenë artist i mirëfilltë, ka qenë shumë njerëzor dhe më ka shkaktuar shumë dhimbje negativiteti që media amerikane shfaqi ndaj tij. Përveç Michael-it, një tjetër artist që më pëlqen shumë këto kohë është edhe Justin Timberlake. E kam dashur që në adoleshencën time të hershme, në kohën e N Sync. Është artist shumë i mirë dhe mund të them që e kam ëndërr të jem në një ndër koncertet e tij.

Mirë të huajt i morëm vesh, po shqiptarë a ke idhuj?
-Mund të them ndikimet e mia në fëmijëri, sepse kur rritesh nuk ke idhuj shqiptarë, për më tepër kur je pjesë e showbizit dhe i ke takuar nga afër ata individë që dikur i ke pasur idhuj. I do prapë shumë, por duke qenë më të prekshëm nuk janë më idhuj. E vogël kam adhuruar Parashqevi Simakun për imazhin e saj perfekt, për bukurinë e saj, për mënyrën e të kënduarit. Ka qenë një ndër këngëtaret e para që ka realizuar klipe në Shqipëri. Mund të them që ka qenë një seks-simbol i padiskutueshëm i asaj kohe. Irma Libohovën e kam adhuruar gjithmonë dhe vazhdoj edhe sot, për temperamentin dhe forcën që ka në skenë. Ardit Gjebrean e kam adhuruar gjithmonë, sepse ka qenë ndër të parët showman në Shqipëri dhe ndër të parët që ka realizuar muzikë të mirëfilltë në Shqipëri. Diti të bëjë risi me muzikën folk të ndërthurur me atë pop dhe të sjellë performanca të veçanta në skenë.

Po nga brezi i ri i këngëtareve shqiptare ke ndonjë të preferuar?
-Patjetër. Elvana Gjata dhe Dafina Zeqiri janë dy të preferuarat e mia. Dafina më pëlqen sepse ka një frymë totalisht ndryshe nga vajzat e tjera shqiptare, madje ndonjëherë më duket sikur s’ka lidhje fare me realitetin shqiptar. Më pëlqen shumë timbri i saj, interpretimi që e ka organike, totalisht të vetin, nuk imiton askënd. Që në fillim më ka bërë shumë përshtypje, sepse ajo e njeh shumë mirë ekranin. Më duket se i di të mirat dhe pikat e dobëta të vetes dhe kjo e bën të jetë shumë e sigurt në vete dhe këtë t’ia transmetojë edhe publikut.
Elvana pastaj më pëlqen shumë. Kam besuar te Elvana që kur ajo ka qenë shumë e re. Unë e kam njohur Elvanën që të vogël, pasi motrën e saj e kam pasur në pallat të pionierëve dhe pastaj edhe në konservator, shumë mikeshë. Për mua Elvana është një artiste e madhe, ajo ka ende shumë rrugë për të bërë dhe e them sinqerisht që unë nuk i gjej asnjë ndryshim nga artistet e famshme botërore.

Jonida, ta them me sinqeritet që më ka habitur mënyra e sinqertë me të cilën fole për koleget e tua, gjë që nuk e bën asnjë këngëtare tjetër, të cilat gjithmonë rezervohen në fjalët e mira dhe superlativat për koleget…
-Unë gjithmonë e kam parë shumë të shëmtuar këtë pjesën kur brezat më të vjetër nuk besojnë te brezat e rinj. Unë madje u kam thënë njerëzve të mi të dashur, Gentit, mamit dhe babit, që nëse në një moment më shohin se po “lajthis” të më thonë: Jonida, mos dil më në skenë (qesh)! E them këtë sepse kur e ke përjetuar vetë kur ke qenë e re, me një brez më të vjetër, që gjithmonë nuk ka besuar te ty, duke të parë si të vogël, duke mos të të vlerësuar vetëm për faktin që ti je e vogël dhe “ke kohë për çmime”, e kupton që është e gabuar. Pastaj, kur i kalon fazat e tua si artiste ashtu siç duhet, nuk ka lidhje të ndihesh xheloze për askënd. Unë me Dafinën dhe Elvanën nuk kam asnjë të përbashkët si artiste, secila ka rrugën e saj, stilin e saj, ama mua ato vajza më pëlqejnë shumë. Sa herë që publikojnë diçka të re unë pres me padurim t’i shikoj. Kjo do të thotë që jam një fanse e tyre dhe këtë e them hapur.

Cili është personazhi më i famshëm që ke takuar ndonjëherë?
-Kelly Rowland. Kam qenë në sfilatën e Roberto Cavalli-t, të cilin po ashtu e kam takuar, por takimi me të nuk më la asnjë shije të mirë, sepse ishte shumë mendjemadh. I kërkuam bashkë me një mikeshën time një foto dhe ai si me përtesë tha “po”. Unë aq shumë u acarova saqë mikesha ime e përqafoi, ndërsa unë dola në cep si me zor (qesh). M’u duk shumë arrogant. Ndërsa Kelly Rowland më bëri shumë përshtypje, sepse ishte shumë e thjeshtë. Kur mbaroi sfilata mua më vinte shumë turp t’i thosha për të bërë foto, ajo ishte e rrethuar nga truproja, por shkoi  mikesha ime dhe i tha që donim të dilnim në foto, që unë isha këngëtare në Shqipëri. Ajo pranoi menjëherë, madje kur më pa, unë në atë kohë i kisha flokët shumë të shkurtra të verdha, më tha që i pëlqente shumë prerja e flokëve dhe që donte t’i bënte si unë (qesh). Më pyeti nga isha. Kuptohet që kur i thashë nga Shqipëria, nuk e dinte ku binte, por me shumë mundim e mori vesh që bëhej fjalë për Ballkanin (qesh). Ishte shumë e çiltër dhe e thjeshtë. Gjithashtu edhe Nina Moriç e kam pasur në hotel në Kroaci, por ajo nuk pranoi për foto. Unë me atë shoqen time vajtëm gjithë qejf te banaku, por ajo reagoi keq. Dhe ne ikëm me bisht ndër shalë (qesh). Por në atë periudhë ajo ka pasur shumë probleme, sapo ishte ndarë nga bashkëshorti, Corona, kështu që e kuptova disi atë reagim.

Prej shumë vitesh njihet pasioni yt për modën dhe jo më kot ti mban statusin e personazhit publik të veshur më bukur dhe më me shumë stil. Ke një dyqan tëndin me firmat më të mira të këpucëve, por ke menduar ndonjëherë të kesh një linjë tënde veshjesh ose këpucësh? Shumë personazhe të famshëm në botë e bëjnë këtë. E kush më mirë se sa ti mund ta bënte në Shqipëri?
-Nëse do të jetoja në Amerikë ose në Japoni ose në ndonjë kontinent tjetër po, por në Shqipëri jo. Prodhimtaria këtu është shumë e limituar. E para për faktin se jemi popullsi shumë e vogël, e dyta, sa atribute mund të marrësh ti me të qenit shqiptare, sepse nëse unë do të kisha një ambicie të tillë nuk do të doja që këtë ta kisha vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë, në gjithë botën. Kur nuk u japin mbështetje dizajnerave që kanë kryer studime, kanë pasur shumë eksperiencë në botë, si p.sh. norvegjezët dhe suedezët, që janë ndër stilistët më të mirë, por prapë nuk janë ndër më të famshmit, imagjino sa mundësi mund të kishte për një shqiptare. Mua më pëlqen shumë të jem me këmbët në tokë. Nuk do të thotë që ti ke gusto në kombinimin e veshjeve dhe mund të bëhesh stiliste. Mendoj se nëse do të kisha një ambicie të tillë patjetër që do të kisha studiuar dhe do të isha thelluar më shumë, pasi një stilist i vërtetë duhet të dijë patjetër të skicojë shumë mirë. Nëse nuk do të isha bërë këngëtare atëherë e sigurt është që do të kisha studiuar për dizanj ose për make up artist, pasi të dyja i dua shumë, por ja që zgjodha muzikën (buzëqesh).

Cili është trendi pas të cilit je më shumë e fiksuar këtë periudhë?
-Mund të them që kohët e fundit, sidomos vitin e fundit, jam larguar pak nga leximi, qoftë ai i librave, ashtu edhe nga revistat dhe kjo për faktin që tani që Dani është rritur, duhet t’i rrish gjithë kohën nga pas. Megjithatë kjo nuk do të thotë që nuk  jam e informuar me të rejat. Ajo që më pëlqen dhe që do të doja që edhe femrat shqiptare ta fiksonin është që më në fund kombinimi perfekt ka ikur, ka dalë jashtë mode. Më në fund vizat me lulet, me kuadratet dhe printe të tjera janë miksuar bashkë. Më pëlqen shumë larmishmëria grafike dhe ajo e ngjyrave. Në të njëjtën kohë më pëlqen shumë që ka qenë në trend edhe e zeza në verë, sepse gjithmonë kjo ngjyrë ka qenë tabu në këtë stinë. Duke qenë se më pëlqen shumë të ndihem rehat me veshjen, me pëlqen fakti që për disa vite vazhdon të jetë në modë stili boyfriend, pantallonat e gjera, këmishat e të dashurit, apo kapelat stil mashkullor. Më pëlqejnë elementët mashkullorë në veshje, por gjithmonë duhet të kenë një detaj femëror.

Po ai trend që nuk e duron dot fare?
-Trendi që nuk duroj dot janë vizat. Më pëlqyen shumë në fillim, por nuk e mendoja që do të ishin kaq dominuese dhe tani kam arritur në pikën që nuk i shikoj dot më.

Ke deklaruar në një intervistë se 30 vjeç fillon mosha. Ç'të bën ta mendosh në këtë mënyrë?
-E kam thënë këtë duke u nisur nga eksperienca ime personale, sepse gjithmonë kur kam qenë e vogël kam menduar që kur të isha 30 vjeçe do të isha duke kënduar, por do të kisha edhe familjen time. Me biznes, mos të gënjej kot, nuk e kisha menduar veten (qesh). Dhe sot që jam 30 vjeçe ndihem shumë e lumtur që kam familjen time, kam një bashkëshort dhe një djalë që i dua më shumë se veten, kam dy prindër, një motër dhe një mbesë të mrekullueshme që e adhuroj. Krahas kësaj ndihem shumë e realizuar edhe nga ana profesionale, jo vetëm si këngëtare, por edhe duke ushtruar profesionin e pedagoges në akademi, status që më pëlqen shumë dhe e bëj me shumë dëshirë. Më pëlqen biznesi që kam, sepse më jep mundësinë që të udhëtoj dhe të marr informacion duke qenë ndër të parët individë që shoh koleksionet që do të dalin, që një vit më parë. Besoj se të gjitha këto janë arsye shumë të vlefshme përse për mua merr kuptim shprehja që 30 vjeç fillon jeta. Uroj që kur të jem 40 vjeçe të jem kështu siç jam, vetëm me disa bebe më shumë nëpër shtëpi (buzëqesh).




8 comments:

  1. Sa mire ka bere Jonida qe e ka hapur instagramin!Une gjithnje kam qene disi indiferente ndaj saj,ne kuptimin qe me dukej tipi mendjemadh i artistes,por ja qe keto kohe qe e shoh perdite,me ka bere ta dua shume sinqerisht!
    Me pelqen qe eshte interaktive me te gjithe :-) Le te themi,qe per mua eshte me e mira per momentin :D

    ReplyDelete
    Replies
    1. Ne fakt kam degjuar shpesh per njerez qe e shohin nga larg Joniden, te thone qe i duket mendjemadhe, por ne te vertet Jonida me mendjemadhesine nuk ka asnjeeee lidhje :) Perkundrazi, eshte goxha e thjeshte dhe miqesore.

      Delete
  2. Faleminderit per postimin Aulona. Zakonisht fundjavat e kaloj duke lexuar intervistat e Vogue, Marie Claire etj, por sot lexova kete interviste me Joniden dhe me pelqeu. Sikur te fillosh te besh pyetje me pikante do me pelqente me teper ;) Mbase ne intervistat e ardhshme, meqe premtove se do ti publikosh ne blog. Ky eshte nje plus per ne qe jetojme jashte Shqiperise dhe s'kemi mundesi te lexojme Palomen (edhe pse une sinqerisht nuk e kam lexuar kurre per sa kohe jetoja andej) ;) Kam idene apo eshte permiresuar ndjeshem cilesia e permbajtjes?
    -Persa i perket Jonida Maliqit! E ndjek ne Instagram dhe eshte unike. Nese e lexon blogun tend, do ti sugjeroja t'i thoshte asaj shoqes qe ti hape me urgjence nje fashion blog! :) Eshte artistja me e kuruar ne Shqiperi. Me vjen mire qe jeta e ka perkedhelur dhe me duket se eshte tipi i femres qe merr gjithcka te mire per te ecur me sukses perpara.
    Diçka me ka bere pershtypje te madhe kur kam lexuar faqen e saj zyrtare dhe ja u them njerezve sa here bie fjala per degradimin e muzikes shqiptare. Jonida shkruan ne faqen e saj per arsimin qe ka ndjekur, vitet e gjata te studimeve rigoroze, vitet e gjata te prezantimit ne skenat shqiptare e me gjere dhe pas gjithe ketyre, shkruan se ne fund ka marre titullin KËNGËTARE! S'e kini idene sa jam prekur kur e lexova! Nje artiste me dimension, e cila nuk e ka quajtur veten kurre "kengetare" overnight! Jonida Maliqi, ke simpatine time me te madhe! Zeri eshte dhurate e natyres, pasioni per moden, jeten dhe te bukuren, jane brujtur tek ti si tek asnje tjeter. Zoti ju bekofte familjarisht!
    P.S- ti Aulona futi nje AMIN perfundi fjalise time te mesiperme, hahahaaha! :)
    hugs, N.

    ReplyDelete
    Replies
    1. Nestila ne radhe te pare te falenderoj qe me ke shkruar.
      Me vjen shume mire qe krahas atyre revistave me goxha emer qe permende, kete jave ke gjetur pak vend edhe per Palomen, qe per fat te keq eshte aq shume e paragjykuar nga emri, por pasi e merr ne dore dhe e shfleton e kupton qe nuk ka asnje diference, nga revistat me ne ze shqiptare :) Tani me ato mundesi dhe kushte qe kemi ne ketu ne Shqiperi, do ishte cmenduri te pretendoje te arrije nivelet e gazetave dhe revistave te huaja, por e rendesishme eshte qe per aq vite sa kam qe e kam marre ne dore kete gazete, jam munduar gjithmone te shkoj drejt rritjes se cilesise dhe profesionalizmit. Me vjen mire qe kjo gje vihet re dhe theksohet edhe nga ju :)
      Sa per Joniden, jane shume te vertet te gjitha ato qe ke shkruar ti ne lidhje me muziken. E sa per hapjen e nje fashion blog-u...besoj se kjo eshte endrra e te gjitha ne vajzave, qe e adhurojme stilin e saj :) Por per fat te keq, me aq sa di une, nuk e ka ne plan ta hap nje te tille, te pakten jo per momentin. Le te shpresojme qe dashuria per Instagramin ti mbaroje sa me shpejt ne menyre qe te gjej nje dashuri tjeter me blogjet e modes :P
      Sa per ate P.S qe ke shkruar ne fund, me bere te qesh, sepse ndersa po flisja me Joniden me mesazhe per titullin e intervistes, mbase e vendosem me thote me shaka "Aulona mos harro qe tek titulli, te shkruash nje "marshallah" ne kllapa" :D Hahahahahaha
      Perqafime nga Tirana!

      Delete
  3. Shume e bukur intervista :-)))
    3 shyqyr qe lexova Palomen se jetoj jashte shtetit :-))
    Pyetje e pergjigje shume te sinqerta. k

    ReplyDelete
  4. Mua perkundrazi gjithmone me ka pelqyer Jonida dhe sme eshte dukur ndo1her mendjemadhe dhe nuk e di pse shumica shprehen qe duket e tille.intervista shume e bukur,me pergjigje te kthyera aq bukur dhe aq thjesht sa vetem Jonida di ti kthej.

    ReplyDelete
  5. This comment has been removed by the author.

    ReplyDelete