Friday, December 28, 2012

Një vit i mbushur me mirësi!



Të realizoj shkrimin e fundit të vitit, pra editorialin e fundit, është për mua një nga gjërat më të vështira. Njësoj siç ndodh me përgatitjet që në ditët e para të muajit dhjetor, pema, mendimi për dhuratat që do t’i bëhen të afërmve, punët e shtëpisë, ushqimet që do të gatuhen, po ashtu edhe ideja për temën që do të shkruaj në numrin e fundit është një stres dhe impenjim më vete. Edhe pse ideja, si bosht qendror, është mirë e strukturuar në mendje, patjetër që do të flitet për festat, vitin e vjetër dhe mbi të gjitha vitin e ri, fjalët që do ta mbushin shkrimin janë ato që e vështirësojnë punën. Më është dukur gjithmonë shumë e vështirë të gjeje ndarjen e drejtë midis rezymeve, këshillave dhe padyshim urimeve që bëhen gjatë këtyre ditëve, atyre patetike, të bëra sa për të kaluar radhën, apo sepse kështu do tradita dhe pjesës tjetër, atyre fjalëve të cilat dalin nga goja sepse ndihen vërtet në zemër dhe pasi janë elaboruar mirë në mendje. E dini çfarë? Mua nuk më pëlqen fakti që çdo vit urohen të njëjtat gjëra, kemi tre-katër fjalë standarde që i formulojmë bukur në një sms dhe ua nisim 400 e ca emrave (a mos më shumë) që kemi në listën tonë të telefonit. Më vjen keq, për mua mund edhe ta kurseni atë 200 lekëshin e mesazhit, sepse urime të tilla nuk më pëlqejnë fare!
Për mua urimet janë njësoj si dhurata, duhet të mendohesh mirë përpara se t’ia dërgosh personit tjetër, duhet ta njohësh mirë atë dhe duhet t’ia përshtatësh çdo urim dërguesit të tij. Ndryshe urimi e humb vlerën! E njëjta gjë vlen edhe për qëllimet që çdo vit të gjithë ne vendosim për vitin e ri, duke filluar nga ai kryesori që besoj qëndron në top listën e çdo femre: do nis dietën dhe palestrën dhe do të dobësohem 10 kile! Çdo vit i njëjti qëllim! Por përderisa vitet kalojnë dhe qëllimi mbetet i njëjtë, a nuk do të thotë kjo që qëllimi nuk është marrë kurrë seriozisht? Pra, edhe qëllimet e fundvitit dalin që, në pjesën e tyre më të madhe, të bëhen shkel e shko, sa për të gënjyer veten se e mbushe dhe ti listën tënde! Çështja nuk është te përpilimi i listës, por te zbatimi i saj!
Të gjitha këto ma vështirësojnë edhe më shumë shkrimin e fundit të vitit. Unë dua të bëj një urim special për të gjithë ju, një e nga një, por e dimë që është e pamundur, kështu që më duhet të mendohem mirë për të gjetur një urim që të jetë njësoj i rëndësishëm dhe të ketë njësoj vlerë për secilin nga ju që do të lexoni këto rreshta. Por e dini çfarë vështirësie dhe përgjegjësie është kjo për mua? E dimë shumë mirë që mbi gjithçka vjen shëndeti dhe një urim për një vit të shëndetshëm nuk ka njeri që nuk e do. Po edhe paratë janë të rëndësishme shumë, madje për disa ato vijnë edhe para shëndetit, sepse ka nga ata që mendojnë se po pate paratë shëndetit i bëhet dermani. Po është dhe kategoria e atyre që i kanë të gjitha këto, kanë shëndet, kanë edhe para, shumë madje, po ja që çdo natë nuk e bëjnë gjumin rehat nga dashuria e pamundur që nuk i lë të gëzojnë gjithë të mirat e tjera që mund të kenë. Kështu që si ta di unë që urimi im do të kënaqë një pjesë, por do të lërë indiferent pjesën tjetër? Për të mos folur pastaj për qëllimet dhe synimet për 2013-n, të cilat janë kaq individuale!
Prandaj do të më lejoni të bëj një urim të përgjithshëm, po aq edhe të veçantë, që na prek në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë ne! Është një urim, po aq sa edhe një qëllim! Ajo çfarë do të kërkoja, shpresoja dhe dëshiroja unë nga ky vit që po vjen, për vete, por edhe për të gjithë ju, është që të bëhemi të gjithë nga pak më të mirë për veten tonë në radhë të parë dhe duke qenë të mirë me veten, atëherë patjetër që këtë mirësi do ta reflektojmë edhe te familjarët, miqtë dhe njerëzit tanë të afërt, e kështu do të jemi jo vetëm më të mirë me veten dhe njerëzit e dashur, por edhe me këtë vend, i cili çdo ditë e më shumë duket sikur po zhytet në errësirë (dhe jo vetëm në mënyrë metaforike) dhe ka kaq shumë nevojë për mirësi dhe energji pozitive. Mirësia është ajo që çon botën përpara! Ky është një parim për të cilin jam e bindur dhe nuk do ta mendoj kurrë ndryshe. Pas një viti të dhunshëm dhe të mbushur me ngjarje dramatike për këtë vend, të jemi pak më të mirë është dhurata më e bukur për çdo qytetar të këtij vendi. Por mos prisni që një dhuratë të tillë t’ua sjellë babagjyshi i Vitit të Ri! Kjo është dhurata që secili prej nesh ka në dorë dhe duhet t’i bëjë vetes së tij për të mirën individuale që është dhe e mira e përgjithshme e këtij vendi.
Gëzuar festat! Qoftë 2013-a një vit i mbushur me mirësi për secilin nga ju!

4 comments:

  1. TE LUMTE GOJA MOJ AULONA, POR MIRESIA NE KETO KOHE DHE ME KETA NJEREZ-KAFSHE QE NA RRETHOJNE, SHPESH MERRET SI DOBESI, FATKEQSISHT EDHE NGA TE AFERMIT (TA THEM NGA EKSPERIENCA)... GJITHSESI UNE TE UROJ ME SHPIRT, GJITHE TE MIRAT TE KESH NE KETE 2013 QE PO VJEN; SHENDET, PARA, DASHURI, PUNE, PSE JO DHE MIRESI... KALOFSH BUKUR FESTAT.. NILDA, FANSJA E HESHTUR HAHAHAHA

    ReplyDelete
  2. E dashur lexova shkrimin tend dhe e ndjeva problematiken dhe madje sikletin qe kishe brenda vetes.E kuptoj shume mire qe te vjen jo per shkak te perzgjedhjes se fjaleve dhe urimeve, por per gjetjen e ekuilibrit mes keshillave, kritikave dhe urimeve, sic thua dhe vete. Me pelqen qe edhe kur vjen puna tek festat, nuk i harron gjerat qe kemi lene pas dhe nuk mbulon balten me fjale te bukura. Edhe pse mund te dukesh e pameshirshme per disa njerez ndoshta, une te admiroj per qendrimin e pandryshueshem, kritik dhe autokritik qe mban gjtihmone. Une nuk do isha kaq e zonja, do me sfidonte shpirti i mire i festave :P

    Gezuar dhe marrsh sa me shume urime te personalizuara dhe dhurata jo materiale. Rruge te mbare dhe kalofsh sa me bukur keto dite!

    P.s : nese ke nevoje per ide te minutes se fundit per dhurata, kalo nga blogu im :)

    ReplyDelete
  3. Sa me shume miresi dhe lumturi edhe per ty e dashur Aulon! Dhe sa me shume shkrime te goditura e koherente :))

    ReplyDelete
  4. Pershendetje e dashur! Te uroj Gezuar Vitin e Ri dhe te uroj fat, mbaresi e sukses ! Qofte nje vit i mbushur plot dashuri dhe surpriza te bukura :)

    Hope to hear again from you!

    Hope you're having a great day!
    http://kikisbookofdreams.blogspot.com/

    My cooking blog, support me:
    http://kikiscookingtime.blogspot.com/

    xoxo Kiki

    ReplyDelete