Thursday, February 21, 2013

Sa keq te jesh i mire!



Që kur kemi ardhur në këtë jetë, prindërit tanë janë përpjekur me të gjitha teknikat e mundshme, qoftë me të mirë e me shpërblime, e qoftë me diktat e ca dacka faqeve, për të na dhënë edukatën e duhur dhe për të na formësuar nga ana karakteriale sa më mirë të jetë e mundur. Qëllimi i çdo prindi është që fëmijën e tij ta bëjë të mirë: “Mos fol me zë të lartë”, “Përdor fjalët magjike”, “Fli me orar”, “Ushqehu me orar”, etj, etj janë vetëm disa nga ligjet e asaj mini kushtetute që besoj se ekziston në çdo familje, e ndërtuar me synimin e vetëm për të rritur fëmijë të shëndetshëm.
E megjithatë, pavarësisht dëshirës së mirë dhe përpjekjes së vazhdueshme që bëjnë prindërit, kjo jo gjithmonë arrihet. Rrugës së gjatë të jetës, fëmija tashmë i rritur, përballet me aq shumë gjëra, ndeshet me sfida pa fund, vendoset përpara zgjedhjeve te paevitueshme të cilat shpesh herë e detyrojnë të vendosë mes dy alternativash: “të jetë i mirë, apo i keq”.  Sepse për mua, pavarësisht rrethanave të jetës, në fund zgjedhja që bëhet është totalisht individuale.
Ajo që më ka shqetësuar mua ka hera është, që ndërkohë që gjatë fëmijërisë trumbetohet me të madhe rëndësia e të qenit një njeri i mirë, i moralshëm dhe i virtytshëm, kur ritesh kupton që të jesh një njeri i mirë, i ndershëm dhe me norma nuk na qenka dhe një gjë aq e mirë. Madje shpesh janë po ata prindër, që janë përpjekur aq shumë të brumosin te ti vlerat më pozitive, që tani kërkojnë të jesh pak më “i keq”, pak më  i ashpër, pak më dinak, pak më egoist, sepse “ndryshe nuk mbijetohet në këtë botë, të keqen babai” – siç i kishte thënë i ati një shoqes tim. “Ka gjithë jetën që më thotë se rëndësi ka të jesh njeri i mirë dhe i ndershëm, tani më thotë se në këtë mënyrë nuk mbijetohet. Ke parë ti kështu” – më thoshte mikja ime e shqetësuar, teksa po bisedonim në lidhje me këtë temë. Dhe pikërisht nga ajo bisedë më lindi frymëzimi për këtë shkrim.
Por jo vetëm. U bënë disa gjëra bashkë, siç ishte psh telefonata e një personazhi, i cili i pakënaqur nga një lajm që unë kisha botuar më tha se po ta kishin bërë këtë gjë, disa kolege të miat (dhe përmendi emrat e tyre) ai nuk do të kishte patur fare problem dhe nuk do t’i bënte përshtypje, por fakti që e kam bërë unë, e kishte mërzitur shumë, sepse unë supozohet që jam ajo gazetarja e mirë, e drejtë dhe që nuk abuzoj. Ndërsa ato të tjerat që janë “të këqijat”, sipas këndvështrimit të personazheve, atyre po u lejohet.
Nga kjo unë kuptova që në ditët e sotme, të jesh “delja e bardhë e kopesë” është një gjë shumë e keq. Nëse një herë e një kohë ishte “delja e zezë”, ajo që tregohej me gishte, sot ndodh e kundërta. Nëse të tjerët të etiketojnë si njeri të keq, kjo do të thotë që ata presin nga ty të bësh gjithçka, por ama kjo nuk i pengon të të flasin, të të konsiderojnë edhe mik, të dalin me ty, të argëtohen, ama nëse në fund t’i i bën diçka të keq, s’ka shumë problem sepse prej teje e prisnin. Por nëse t’i shihesh si njeri i mirë, duhet të kesh shumë kujdes me ato që bën dhe që thua, sepse edhe gabimi më i vogël, është i pafalshëm!
Prandaj të dashur miq, mos u habisni herën tjetër kur të dëgjoni po ata prindër që gjithë jetën ju kanë mësuar se ti te jeni njerëz të drejtë, të ndershëm dhe të virtytshëm,  t’ju bëjnë vërejtje se jeni më të mirë se ç’duhet. Jetojmë në kohë kur, është keq të jesh i mirë...

2 comments:

  1. Thank you for the auspicious writeup. It in fact was a amusement
    account it. Look advanced to far added agreeable from you!
    By the way, how could we communicate?

    My website: quick cash loans

    ReplyDelete
  2. E ke qare o Aulon, s'kam c'them se i ke thene te gjitha vete aq bukur

    ReplyDelete