Do të kisha dashur që këtë numër të kisha shkruar për ngjarjen e tmerrshme që na ka shoqëruar këtë javën e fundit; të ndaja me ju dhimbjen, dëshpërimin, trishtimin që më kaploi që momentin e parë që e dëgjova lajmin. Por nuk do ta bëj. Do të kisha dashur të flisja për revoltën, inatin, zemërimin që kam ndjerë duke menduar se kjo histori mund të ishte evituar nëse organet përgjegjëse do të kishin bërë punën e tyre dhe do të funksiononin ashtu siç duhet. Por nuk do ta bëj as këtë. Do të kisha dashur të shkruaja për neverinë, trishtimin, zhgënjimin për atë artikull skandaloz, më të shëmtuarin që kam lexuar deri sot në shtypin shqiptar, shkruar nga dora e një femre, një nëne të ardhshme. Por as këtë nuk do ta bëj. Nuk do ta bëj sepse, edhe pse kam shumë për të thënë, nuk arrij të gjej fjalët e duhura. Si mund ta shpreh gjithë trishtimin dhe dhimbjen që kam, pa lënduar kënd nga ata që mund ta lexojnë këtë artikull? Si mund ta shpreh gjithë urrejtjen që kam për njerëzit dhe institucionet përgjegjëse pa shkelur me të dyja këmbët etikën që kërkohet në shkrimet e një gazete? Si mund të gjenden fjalët e duhura për të shprehur, brenda të gjitha rregullave, ndjenjat që kam brenda dhe që do të doja shumë t’i nxirrja me anë të fjalëve? Po zgjedh mos ta bëj! Sepse nuk do të dija si ta bëja drejt. Dhe gjëra të bëra gabim në lidhje me këtë histori ka plot!
Ama nuk mund të rri pa bërë një kërkesë, të cilën e bëj me gjithë shpirt, edhe pse nuk e kam provuar ende ndjesinë e të qenit prind. I lutem cilitdo prindi që po lexon këto rreshta të mos humbë asnjë rast pa komunikuar me fëmijët e vet. Komunikimi është më i rëndësishmi, është parësori, është themeli i rritjes së një fëmije të shëndetshëm. Komunikimi me fëmijën tuaj do të thotë t’i jepni atij besimin që mund të mbështetet te ju për gjithçka, për çdo problem apo shqetësim që mund të ketë, për çdo pyetje që i lind dhe që s'mund t’i japë dot një përgjigje. T’i krijosh fëmijës mundësinë të komunikojë me ty pa frikë, pa pasur turp, pa u ndjerë i paragjykuar, do të thotë të krijosh tek ai besimin se ka dy prindër tek të cilët e di që mund të mbështetet gjithmonë, edhe për ato problemet më madhore, që mosha e tyre e vogël e ka të pamundur t’i mbajë mbi shpatullat e brishta, por që frika nga reagimi i prindit i bën t’i mbajnë brenda dhe kështu të mbyllen në një guackë që vetëm i dëmton.
Të sjellësh në jetë një fëmijë është një përgjegjësi e madhe, kur do ta kuptoni këtë? Detyra e prindit nuk është vetëm të sigurojë një banesë apo ushqim për fëmijën. Këto janë nevojat bazë, nevojat e mbijetesës, por që nuk mjaftojnë për të rritur fëmijë të shëndetshëm, e aq më pak të lumtur.
Dhe fëmijë të palumtur për shkak të prindërve të tyre, në këtë Shqipërinë tonë të vogël, ka shumë. Marr guximin ta them këtë duke u nisur edhe nga këto 7 vite punë në këtë gazetë, ku në një prej rubrikave më të vjetra dhe më të dashura, ajo e psikologes Lira Gjika, pyetjet nga ana e adoleshentëve për marrëdhëniet e tensionuara me prindërit janë ato që mbizotërojnë. Javën e kaluar, kush e ka lexuar gazetën, duhet të mbajë mend për një nënë të shqetësuar që shkruante për vajzën e saj 14- vjeçare dhe marrëdhënien e tensionuar që ajo kishte me të atin. Në fakt, të përdorësh fjalën "e tensionuar" e minimizon me shumë shkallë atë që ajo nënë kishte përshkruar në atë mesazh dhe gjithë urrejtjen që vajza kishte ndaj të atit. Pse? Sepse ai ishte i ftohtë, i rreptë, i distancuar dhe shpesh i dhunshëm. Dhe vajza e urrente. Dhe i lutej të ëmës të ndahej prej tij dhe të iknin larg.
Kjo është marrëdhënia që doni të keni me fëmijën tuaj? Një marrëdhënie urrejtjeje? Po nëse kjo vajza 14-vjeçare, në periudhën e saj më të vështirë, atë të adoleshencës, të ketë një problem madhor, kujt t’i drejtohet? Nëse kjo vajzë ndihet e dhunuar apo e abuzuar psiqikisht apo fizikisht nga një person më i rritur, kujt t’i kërkojë ndihmë? Të atit që është vetë një abuzues? Mendoni për fëmijët tuaj! Është detyra juaj parësore! I keni sjellë në jetë dhe detyra kryesore që keni si prindër është t’i mbroni nga ata që i rrethojnë dhe jo të jeni ju vetë ata nga të cilët fëmijët duhet të mbrohen. Uroj që histori të tilla të na bëjnë të gjithëve të reflektojmë nga pak. Ju uroj një javë të mbarë të gjithëve!
shume shkrim i bukur, Lona!Faleminderit. eshte shume e vertete qe komunikimi edhe ndarja e te perditeshmes te femijeve me prinderit eshte baza e te rriturit individe qe do te jene te zotet edhe plot me besim per gjerat qe duan edhe bejne ne jete! Prinderit nk duhet te kenaqen me te pavertetat e femijeve te tyre...duke qene te qete se kane "femije shembullore" sipas parametrave prinderoro/shoqeror....por duhet te jene te lumtur kur keshillojne femijet pikerisht per te vertetat e tyre " te gabuara" edhe te jene aty per ti treguar menyra te drejta veprimi, e te lene te lire te bejne zgjedhjet e tyre!
ReplyDeleteEshte mjaft i vertete ky problem. Mua me vjen keq kur shoh shoqet e mia 20 e ca vjecare qe ende kane konflikte me mamate e tyre. Mama qe iu shfrehin nervat e punes, qe i bertasin, qe nuk i kuptojne, qe dyshojne tek to, qe i tallin madje pasi ato iu jane hapur mbi ndonje problem ne lidhje me djemte, qe nuk i plotesojne nevojat e perditshme (dhe jo sepse nuk jane ne gjendje), qe iu flasin me gjuhe ofenduese...dhe ku perfundon gjithe kjo: ne te njejten menyre sillen keto vajza ne shoqeri, dhe njesoj mendojne se do sillen dhe me femijet e tyre te ardhshem...Eshte e trishtueshme
ReplyDeletep.s kam pershtypjen se prinderit ne shqiperi i njohin shume pak femijet e tyre, sepse i frustrojne gjithe kohes per tu sjelle sipas LIGJEVE TE TYRE! e si rrjedhoje njohin vetem ate pjese te karakterit qe femijet vendosin ti tregojne...kjo nuk vlen gjithmone,sigurisht! por ne te shumten e rasteve po, nisur qe nga fakti qe pjesa me e madhe e adoleshenteve akoma nuk i tregojne prinderve se kane nje shok, se ky merret si gabim...vetem nga kjo kane zanafille shume gjera te tjera. po e mbyll se mund tia kaloj edhe shkrimit tend per gjatesi, te perqafoj
ReplyDeleteArtikull me vend. shpresoj se sa me shume njerez, prinder apo jo, ta lexojne dhe te reflektojne reth mardhenjeve qe kan me femijet e me prinderit e tyre
ReplyDeleteduke lexuar kte artikull me erdhi ne mend nje bashkbisedim qe kam ber me nje pedagogen time.po na tregonte qe ne nje shkolle 9-vjecare ishte ber nje debat shume i forte me prniderit e femijve,pasi kta prinder kerkonin heqjen e lendes "Edukata seksuale" pasi sipas lloigjikes se prinderve femijet e tyre ishin shume te vegjel per ate lloj informacioni qe do merrnin nga ajo lende.dhe pedagogia po na pyeste neve sesi e shikonim kte ide.une sinqerisht ngela e habitur dhe thash: SERIOZISHT????kta prinder vertet nuk e din se cfare ben djali apo vajza e tyre??vertet nuk e din qe vajza e tyre as se ka per gje fare ate lend,se i ka kaluar ne praktik ato qe shkruhen ne liber??a nuk e din kta prinder qe djali i tyre e pi cigaren e kushedi ca pislliqe te tjera ben???mos me keqkuptoni nuk i fajsoj aspak prinderit sepse ka nga ata prinder qe perkushtohen me shpirt ne rritjen dhe edukimin e femijve dhe kur vjen puna femija behet perseprapthi,por pse duhet te kerkojn fajtor atie ku nuk ka??pse edukata seksuale u prishte pune??pse duhet tja heqesh te drejten femijes te informohet ne menyre te sakt dhe edukative dhe jo duke pare pislleqe ne internet.nuk do mbaroja kshuqe me mire po e le me kaq me shpresen qe mardhenia prinder-femije, ne Shqiperi ,te rregullohet sadopak,dhe baza e ksaj mardhenie te jet komunikimi..ELONA
ReplyDeleteBrezi i prinderve tane, nje pjese e mire jane te rritur te ndrydhur, dhe ashtu na kane mbajtur dhe ne, te pakten flas per vete dhe shoqe te miat, qe kane te njejtat probleme. Une personalisht e kam patur shume te veshtire t'i tregoja sime meje qe kisha nje marredhenie, dukej se nuk e konceptonte, madje dukej se as nuk i shkonte ne mendje qe mund te pelqeja dike, e keshtu ishte krijuar nje barriere e madhe qe me pengonte t'i hapesha. Ju kam treguar prinderve te mi, pas nje viti lidhje, e reagimi ishte pak a shume sic e prisja, por ama sot pyes veten: "Po sikur te kishte shkuar keq? Po sikur te isha me e papjekur e te kisha nisur nje rruge te gabuar?" S'do e merrnin vesh kurre derisa ta pesoja keq! Edhe tani jam e paafte te komunikoj lirshem me time me, si me nje shoqe, per cdolloj teme, e fatkeqesisht eshte historia e shume vajzave, por edhe djemve. Une uroj qe brezi yne, ne prinderit e ardhshem te mund te jemi mendjehapur, te mos i ndrydhim femijet, t'i mesojme te jene te lire, te pavarur e te mbajne pergjegjesi per veprimet e tyre, qe te vegjel. Nje femije duhet te formoje personalitetin e tij, eshte detyra e prindit ta informoje mbi te miren e te keqen, te drejten, te gabuaren, keshtu s'ka nevoje ta limitoje nga kerkesat e nevojat, per ta mbrojtur, por formon nje individ te afte per t'u mbrojtur vete.
ReplyDeleteShumë i bukur artikulli :)
ReplyDelete