Friday, October 18, 2013

Dhuna nuk eshte zgjidhje!


Një ngjarje tronditëse ka shënjuar javën që po lëmë pas. Bëhet fjalë për videon që ka qarkulluar në internet, subjekt i së cilës janë dy vajza adoleshente, ku njëra ushtron dhunë e tjera, duke qëndruar pasive, automatikisht shndërrohet në viktimë. Të dyja janë nga Mitrovica, qytet i Kosovës. Kush nuk e ka parë videon, nga njëra anë më vjen t’i them më mirë dhe as mos e kërkoni fare, sidomos nëse jeni prindër, sepse do të tronditeni vërtet. Nga ana tjetër, pikërisht nëse jeni prindër, do bënit mirë ta shikonit këtë video, sepse në vend të secilës prej atyre dy vajzave mund të ishin fëmijët tuaj.
Reagimi i menjëhershëm kur pashë videon ishte një ndjenjë e madhe urrejtjeje ndaj vajzës që po ushtronte dhunë. “Ah, të të kisha një herë në dorë po ta shikoje mirë ti sa trime do tregoheshe!” - mendoja. Ky besoj është reagimi normal i çdo qenie njerëzore, i cili gjithmonë dënon dhe përçmon agresorin dhe ndjen keqardhje dhe përkrah më të dobëtin, viktimën. Imazhet e videos më shoqëruan thuajse gjatë gjithë asaj dite. E bashkë me imazhet, edhe qindra mendimet që kisha në kokë. Erdhi një moment kur u ndjeva keq, kur keqardhjes për vajzën e dhunuar iu shtua edhe keqardhja për vajzën tjetër. Edhe pse bëhej fjalë për dy ndjesi të ndryshme keqardhje, që, për fat të keq, unë nuk mund t’i diferencoj me fjalë, sepse në fund të fundit ndjesitë janë për t’u ndierë jo për t’u përshkruar. Kishin një të përbashkët të madhë, faktin që për një moment të dyja vajzat në sytë e mi u shfaqën njësoj viktima! Ju mbase tani do të shqyeni sytë të habitur e do të thoni me vete: Po kjo Aulona u çmend? Si mund të ndiejë keqardhje apo t’i shohë të dyja vajzat njësoj  viktima? Por ja që e vërteta kjo është dhe pasi të kem argumentuar edhe mendimin tim, uroj që në fund, në mos plotësisht, të paktën pjesërisht të jeni dakord me mua.
Si fillim, besoj se të gjithë biem dakord që në atë video kemi dy vajza adoleshente. E në momentin që flasim për një adoleshent, më thoni ju, a mund ta gjykojmë kaq ashpër, sado i rëndë të jetë veprimi që ka kryer? Te një adoleshent nuk janë ndërtuar ende strukturat e psikës, idi, ego dhe superego janë ende të pastrukturuar; adoleshenti nuk është i aftë të mendojë dhe veprojë me ndërgjegje të plotë, sepse ndërgjegjja tek ai ende nuk është formuar, prandaj  modelet e gatshme që i ofron nga shoqëria, prindërit, shkolla, media, mjedisi social, janë shembujt tek të cilët ai bazohet dhe në bazë të të cilëve shpesh vepron. Mbase mund të dukem shumë teorike? Ta kthejmë në shembuj praktikë më mirë. Një vajzë adoleshente shikon filmat dhe serialet e Hollivudit, ku një grup vajzash që mbahen si më të fortat, më të bukurat, si “kapot” e shkollës, që bëjnë ligjin dhe tallen me nxënësit më të dobët, dhe këta janë shembuj “cool” në sytë e saj. Nëpër filma, sjellje të tilla janë krejt normale, vajzat që ushtrojnë dhunë verbale apo fizike qoftë ndaj vajzave apo djemve të tjerë duhen dhe respektohen nga të gjithë në shkollë, madje janë edhe shembull për t’u ndjekur, prandaj pse mos të jenë edhe ato si vajzat nëpër filma? Se mos kanë pranë dikë këto adoleshente që t’u flasë gjatë e t’u shpjegojë se në filma gjithçka është më e bukur dhe problemet kalohen shumë lehtë, në realitet sjellje të tilla kanë pasoja të rënda, pasoja që mund të çojnë deri në trauma që të shoqërojnë gjithë jetën ose më e rënda, deri në vdekje.
Por ky është vetëm një shembull, një tjetër arsye përse të rinj, vajza e djem në adoleshencë, por edhe më të vegjël madje, zgjedhin dhunën si mënyrë sjellje, është sepse këtë “gjuhë” u kanë mësuar prindërit, motrat, vëllezërit, familjarët e tyre. Kush na siguron ne që Duda (vajza që ushtron dhunë në video) nuk ka pasur si të vetmin model të sajin këtë formë sjellje? Mbase (dhe po themi mbase në rastin e Dudës, por sa e sa raste të tjera ka!) në ambientet ku ajo është rritur më i forti ushtron dhunë ndaj më të dobëtit, babai ushtron dhunë ndaj nënës kur diçka nuk i pëlqen në sjelljen e saj, nëna ushtron dhunë ndaj së bijës kur ka pakënaqësi e kështu i vetmi model që adoleshenti ka është ai i dhunës. Çfarë mund të presësh nga një fëmijë i tillë? Të kuptojë që dhuna nuk është zgjidhja e duhur për problemet? E si ta kuptojë një fëmijë apo adoleshent këtë kur gjithçka që e rrethon i tregon të kundërtën? Kur nuk ka dikë që t’i mësojë se dhuna nuk duhet të jetë pjesë e alternativave në asnjë lloj situate? A mund të tregohemi kaq të ashpër me një fëmijë apo adoleshent ndaj të cilit keni ju si familje dhe ne si shoqëri e tërë më shumë përgjegjësi sesa kanë ata për veten e tyre? Unë them që jo! Madje është sjellja më e gabuar që mund të bëjmë dhe mesazhi më i gabuar që mund t’i japim këtij të riu, duke e etiketuar, duke e sharë, duke e ndëshkuar me dhunë dhe duke i konfirmuar pikërisht atë që ai tashmë ka mësuar, që dhuna është zgjidhja.
Unë mbase nuk jam eksperte në fushën e psikologjisë, ama e kisha të nevojshme të ndaja këndvështrimin tim për këtë histori, e cila nuk duhet parë më si një histori e shkëputur, por si një fenomen shumë i rëndë i çdo shoqërie. 





4 comments:

  1. Video-n per te cilen behet fjale nuk e kam pare dhe sinqerisht nuk dua ta shof sepse situata te tilla me acarojn shume! Une jam e mendimit qe fajin nuk e kan adoleshentet por bota qe i rrethon dhe shembujt qe kan rrotull! Eshte dicka me te cilen duhet luftuar sepse nuk eshte aspak gje e bukur dhe kto ngjarje do e percjellin adoleshentin/adoleshenten gjate gjithe jetes.

    ReplyDelete
  2. Me pelqen shume qe e ke trajtuar kete teme Aulona, dhe mbeshtes argumentet e tua. Jam e mendimit qe gjithcka ndodh per nje arsye, dhe femije te tille qe ushtrojne dhune fizike apo psikologjike mbi te tjere, e bejne si rrjedhoje e nje serie ngjarjesh qe kane ndikuar ne formesimin e karakterit te tyre.

    Besoj zgjidhja duhet pare tek personat qe jane me afer tyre, prinderit dhe stafi i shkolles.

    Prinderit duhet te prezantohen me keto lloj problemesh (bulling) gjate takimeve me prinder sepse jam mese e bindur qe pjesa me e madhe e tyre nuk e dine qe problematika te tilla egzistojne dhe aq me pak se sa shqetesuese jane ato. Se dyti, gjithmone kam menduar qe nje familje me nenen e pashkolluar ka shume premisa te jete plot probleme. Qeveria aktuale do bente shume mire sikur keto nena te cilat gjithe jeten e tyre kane bere shtepiaken, ti aktivizonte ne pune sociale, ne shoqata grash, ku ato te kishin kontakte ditore me njerezit jashte, me femra aktive, te pavarura. Keshtu do fillonin ti jepnin kuptim jetes se tyre, te shikoheshin me nje tjeter sy ne pasqyre, do fillonin te kuptonin femijet e tyre, do kishin me durim per ti degjuar ata. Nje nene qe di te te degjoje eshte thesar, te shpeton nga nje sere rreziqesh ne te cilat besimi zero ose i tepruar ne shoqeri mund te te dergoje.

    Persa iu perket mesuesve dhe punonjesve te tjere ne shkolla; mesuesit duhet te gjejne kohe qe te percjellin dhe mesazhe humane, pervec atyre formale per te cilat paguhen. Duhet te dine te evidentojne nje rast fyerje qe mund te ndodhe gjate ores se tyre dhe te gjejne menyren per t'ua evidentuar sic duhet nxenesve te cilet gabuan duke ofenduar dhe atyre qe gabuan duke u pergjigjur me te njejten monedhe ose atyre qe qendrojne pasive. Duhet te dine te depertojne tek nxenesit e tyre e te krijojne klime familjare ne klase se keshtu do e kene me te lehte te dyja palet te kuptohen.
    Sa i perket punonjesve sociale, ketu pa dashur te ofendoj njeri, por pjesa me e madhe jane te paafta. Nuk e dine se c'detyre kane. Pjesa me e madhe kane marre nje diplome te tille thjeshte se duhej te benin nje shkolle, meqe deget e preferuara nuk i kane kapur dot. Per rrjedhoje nuk e kuptojne qe puna e tyre nuk eshte te ekspozuarit te garderobes 5/7, por ai i nje lloj detektiveje private. Ato duhet qe ne heshtje te studiojne disa nxenes qe jane ndryshe nga te tjeret, me te ndrojtur, ose me impulsive, me trasgresive e te prirur per tu shperfaqur... dmth tipe te tilla qe e tejkalojne me sjelljen ne nje drejtim apo ne tjetrin.

    Kam pershtypjen qe nese keta te rritur do dinin te benin punen e tyre, do ofronin nje ambient komod, te qete dhe mbushur me dashuri e mirekuptim. Ne nje ambient te tille femijet e sotem do lulezonin, e them me bindje!

    Te vjen keq qe diapazoni i dijes sot eshte shume i larte tek femijet ne krahasim me brezat paraardhes, sepse burimet e informacionit jane te panumerta, por "paturpesia" me te cilen ti thone gjerat troc ne sy, pa piken e kultures dhe edukates, tere mllef, te demoralizon. Me raste dhe qeshim, kur na rastis te takojme femije te tille, e themi shprehje te tipit "Ua sa i shkathet", "Ua si nuk ta pertoka", "Ua sa i llastuar", nderkohe qe qe ketu duhet te filloje kontributi yne, duke i mbajtur qendrim, qe dhe ai ta kuptoje qe e bardha eshte e bardhe dhe e zeza e zeze. Nuk duhen toleruar! Mbaj mend te kem lexuar qe 80% e karakterit formohet deri ne moshen 4 vjec, e nese kjo qendron, prindi duhet te jete prind, vigjilent dhe mesues qe kur merr pergjegjesine te behet prind, qe ne ngjizje.

    P.S: Kerkoj ndjese per "romanin" :-)

    ReplyDelete
    Replies
    1. Per mua eshte kenaqesia me e madhe kur shoh qe dikush e ka marre per zemer nje post timin, aq sa te shkruaj kaq gjate sic ke bere ti, keshtu qe nuk ka fare vend per ndjese nga ana jote :) Perkundrazi jam une ajo qe duhet te te them faleminderit qe ke ndare mendimin tend, kaq mire te argumentuar. Jam plotesisht dakort me gjithcka qe ti ke shkruar ne komentin tend. Uroj vetem qe brezi i prinderve te rinj, te fillojne te ndergjegjesohen me shume per problemet e shumta qe mund te kene femijet e tyre dhe te shqetesohen jo vetem per notat e mire, por edhe per sjelljet qe mund t'i demtojne per gjithe jeten.
      Te pershendes!

      Delete
  3. BRAVO PER KETE SHKRIM,SI GJITHMONE SHUME E MIRE :)

    ReplyDelete