Sunday, October 6, 2013

Fiori Dardha, partnerja e re e Doktorit...Imazhi i duhur ne "Fiks Fare"




Fiori, ka qenë e madhe habia kur mbrëmjen e së hënës të pamë të ulur në karrigen e emisionit "Fiks fare" në krah të Doktorit. Ata që të njohin si figurë televizive jam e sigurt që kanë pyetur: Po Fiori ç'do këtu? Do na e shuash këtë kureshtje të lutem?
-Kjo është pyetja që më kanë bërë absolutisht të gjithë ata që më njohin nga afër dhe, natyrisht, të gjithë gazetarët. Dhe unë e kam treguar pa u lodhur dhe gjithë qejf se një javë më parë, të shtunën vonë, më telefonoi Denisa Haxhiaj, zëvendësdrejtorja e “Fiks fare”, e cila më ftoi që të merrja pjesë në audicionin e së dielës dhe pastaj të tjerat dihen. Të dielën Zoti qenka vërtet pushim dhe në humor!

Ndërkohë që është edhe një kategori e caktuar që ka shumë mundësi që nuk të mban mend ose që nuk të njeh fare. Po këtij grupi çfarë do t’i thoshe, kush është Fiori Dardha që është ulur në një karrige kaq të rëndësishme sa ajo e "Fiks fare"?
-Për njerëzit që nuk më mbajnë mend ose nuk më njohin fare, dhe besoj që janë shumë, kam vetëm një kërkesë: Pasi të kenë ndjekur edicionin qendror të lajmeve në Top Channel, të marrin pultin e televizorit, të ngrenë pak volumin e zërit, sepse menjëherë fillon transmetimi i “Fiks fare”. Atje unë jam e thjeshtë, e sinqertë, e drejtpërdrejtë.

Meqë jemi këtu, e ndjen ndopak peshën që ka ajo karrige?
-Ndopak? Shumë është përcaktimi i duhur! Dhe nuk e ekzagjeroj aspak! “Fiks fare” është një nga programet më të ndjekura brenda dhe jashtë Shqipërisë. Top Channel është televizioni me audiencën absolute, televizioni më i madh në vend! Jam krejt e vetëdijshme për këtë peshë dhe po bëj përpjekje të përditshme për të arritur baraspeshën mes meje si prezantuese e “Fiks fare” dhe televizionit Top Channel.

Kishe kohë që ishe larguar nga ekrani. Si ishte rikthimi, aq më shumë në një ekran të madh si Top Channel?
-Shumë emocionues, si çdo rikthim, në fakt. Kjo është hera e parë për mua që bashkëpunoj me Top Channel dhe e kam të qartë se për një ekran të madh duhet punë shumë e madhe!

Pati ndonjë moment kur pate mëdyshje për ta pranuar apo jo ofertën?
 - Nuk më pëlqen ta trajtoj si ofertë. Pas ftesës dhe gjatë audicionit, drejtori i “Fiks fare”, Filip Çakuli, m'u duk shumë entuziast. Kur audicioni mbaroi, vendin e entuziazmit e zuri besimi se kishte gjetur figurën e duhur dhe se, së bashku, mund të ecnim përpara. Kjo ishte atmosfera gjatë dhe pas audicionit dhe unë i përkas asaj kategorie njerëzish që nuk dua të zhgënjej kurrë besimin që më jepet!

Vendimi për të qenë pjesë e “Fiks fare”, padyshim, është marrë nga një staf i gjerë, por mendoj se vendimi kryesor i takon Filip Çakulit. Jam kurioze të di, në takimin me të cilat ishin arsyet që Filipi të dha për zgjedhjen tënde? Pse pikërisht Fiori?
- Për këtë duhet të pyesni shef Filipin. Mesa di unë, ai shfaqet rrallë në media, por ju tentoni një intervistë me të.

Po në krah të Doktorit si ndihesh? Është komod ai në punë, apo bën si i "zoti i shtëpisë?"
-Një korrigjim të vogël. "I zoti i shtëpisë" është Filipi në fakt. Ne të tjerët jemi pjesa tjetër e familjes. Gent Pjetri, Doktori, është më VIP-i i familjes, por njëkohësisht edhe shumë i thjeshtë dhe mikpritës. Këto pak ditë që e kam njohur nga afër Doktorin jam ndierë shumë mirë nga përkujdesja, butësia dhe afërsia e treguar prej tij. Po përpiqemi të kalojmë sa më shumë kohë bashkë, në mënyrë që të njohim dhe të kuptojmë sa më mirë natyrën e njëri-tjetrit. Besoj shumë se do t'ia dalim mbanë shumë shpejt.


Edhe pse kanë kaluar rreth 10 vjet, ti vazhdon të kujtohesh si Fiori i “Bla bla bla”-së, emisioni që bëri revolucion në botën e gazetarisë, spektaklit dhe showbizit në Shqipëri. E megjithatë, për gjithë këto vite, nuk pati televizion tjetër që të t’i hapte dyert? Cila ka qenë arsyeja?
 -Unë të falënderoj shumë për komplimentin, por revolucion është fjalë shumë e madhe dhe këtë nuk e them për modesti. Më afër realitetit do të ishte përkufizimi si një risi e asaj kohe në ekran. Më vjen keq që nuk ka më një program të tillë në ekranet shqiptare, edhe pse disa janë përpjekur ta risjellin me tituj të tjerë, por pa suksesin e “Bla bla bla”-së. Ky është mendimi im realist. Për sa u përket angazhimeve të mia në ekrane të tjerë, hoqa dorë rreth 7 vjet më parë, pasi bashkëpunova jo me një, por edhe me tre të tjerë derisa kuptova se një format televiziv si “Bla bla bla” nuk mund të ishte ai që duhej pa lirinë e fjalës.

Ka pasur ndonjë moment kur je penduar për rrugën që zgjodhe, atë të të qenit e drejtpërdrejtë, e të thënit të gjërave hapur? Mendon se po të kishe bërë disa kompromise do të kishe pasur një rrugë më të lehtë dhe më të sigurt në ekran?
-Në mënyrën më absolute jo! E di që sinqeriteti dhe integriteti nuk janë më në modë, por unë nuk ndryshoj dot. Nuk bëj dot kompromise që cënojnë dinjitetin tim.

Edhe pse gjatë kësaj kohe nuk ke pasur një hapësirë tënden televizive, ke pasur hapësirën tënde sa private aq edhe publike në Fb, ku nuk je kursyer të shprehësh opinionet e tua në lidhje me gjithçka, sidomos produksionet e ndryshme televizive. Çfarë nuk i pëlqen Fiorit nga ajo që shikon ne ekranet shqiptare? Dhe çfarë i pëlqen?
-Më pëlqen të ndjek spektaklet. “Big Brother” dhe “Voice of Albania” janë dy më të preferuarit. Disa edhe mund të mendojnë tani që unë po bëj pak servilen, meqë jam pjesë e Top Channel, por, fatmirësisht, faqja ime në Facebook ka me qindra prova për preferencat e mia. Ashtu siç ka edhe mospëlqime dhe kjo është krejt normale. Megjithatë, kritikat për të tjerët i lëmë për ndonjëherë tjetër.

Të ka dalë "nami" si një person që nuk pëlqen asgjë dhe vetëm kritikon. Kjo të pëlqen apo që të bezdis?
 -Kot nuk thonë "më mirë syri, sesa nami"! E vërteta është që unë aq shpejt sa gëzohem, edhe nga gjërat më të vogla, po aq shpejt edhe mërzitem. Zakonisht, njerëzve u mbeten në mend kritikat dhe nga ky fenomen nuk shpëton dot askush. E rëndësishme është që unë e kam ndërgjegjen të qetë, se nuk kam kritikuar askënd thjesht dhe vetëm për hir të kritikës apo mospëlqimit. Ashtu e kam ndjerë dhe menduar dhe ashtu e kam shkruar ose e kam thënë pa pasur asnjë prapamendim ose qëllim të caktuar.

 Po tani që ti vetë je në ekran dhe që do të jesh ti ajo së cilës do t’i dedikohen statuse, shpesh edhe negative, je përgatitur shpirtërisht?
-Jam krejt e vetëdijshme për këtë. Bota është portokall. Çfarë ke bërë, do të të bëjnë. Shpresoj të mos më shajnë nga ana profesionale dhe të mos shpikin gjëra që s'janë. Ndërsa për hundën, sytë, buzët, gjoksin, celulitin, veshjen të thonë çfarë t'u vijë dhe si t'u vijë, sepse shijet janë personale.

Meqë ra fjala, ke kërkuar ndopak nëpër rrjetet sociale këto ditë në lidhje me atë që është thënë për ty? Na trego pak gjërat që të kanë thënë dhe që s'të kanë pëlqyer....
-Të them të drejtën fare pak, sepse nuk kam pasur aspak kohë për t'u zbavitur me këtë hobin tim të preferuar. Me aq sa kam parë dhe më kanë thënë miqtë dhe drejtuesit e “Fiks fare”, reagimet kanë qenë, përgjithësisht, pozitive. Për detajet e pëlqimeve dhe mospëlqimeve do të kemi rast të flasim herë tjetër besoj.

Po djali yt, Abeli, si reagon kur të sheh në ekran? Të njeh?
-Nuk e di si sillen fëmijët e tjerë kur shohin mamin në ekran për herë të parë, por Abeli im, që është 18 muajsh, është nervozuar dhe ka qarë aq shumë, sa ka detyruar prindërit e mi të mbyllin televizorin. Ky ishte reagimi i tri ditëve të para, por tani ka ndryshuar plotësisht dhe është bërë tifozi më entuziast i “Fiks fare”.

Si është Fiori si mama?
-Si të gjitha mamatë e tjera. Ndjesinë e të qenit nënë e provova më 9 mars 2012 dhe kushdo që ka fëmijë ma kupton lumturinë dhe ndjesinë e jashtëzakonshme dhe hyjnore të nënës. Do të doja të kaloja sa më shumë kohë me Abelin, por edhe jam me fat që ai ka dy prindërit e mi të mrekullueshëm dhe motrën time engjëllore, që kujdesen pa kursim për Abelin dhe çmenden pas tij.

Po si bashkëshorte?
-Donardi, me të cilin bashkëjetoj prej shumë vitesh, vazhdon të më dashurojë shumë. Përtej shakasë, ne duhemi shumë, shumë, dhe kur dy njerëz e duan me shpirt njëri-tjetrin, lumturia mbretëron në familje. Ndihem e bekuar nga Zoti.

Po si nuse?
-Sa kohë kisha pa e dëgjuar këtë etiketim! Kaq njeri i mirë sa jam, duhet të jem edhe nusja më e mirë në botë (qesh).

Po si drejtuese e emisionit "Fiks fare"?
-Këtë vlerësim e pres me shumë emocion prej jush, si media, prej publikut dhe prej drejtuesve të “Fiks fare” dhe Top Channel. Shpresoj shumë të jetë sa më realist dhe sa më pozitiv! Unë po përpiqem të bëj më të mirën e mundshme!



No comments:

Post a Comment