Wednesday, November 28, 2012

Gëzuar 100-vjetorin…me zemër dhe mendje!



Ethet e këtij 28-29 Nëntori ose, siç jemi mësuar tashmë të dëgjojmë refrenin, 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, na kanë pushtuar të gjithëve. Edhe pse ka disa javë, madje muaj, që dëgjojmë për këtë 100-vjetor, edhe pse jemi bombarduar nga informacioni, aktivitetet,  këngët, filmat, emisionet, reklamat, librat, flamujt e shumëçka në lidhje me këtë festë dhe ditë të shënuar, sa më shumë afrohet data, aq më shumë shtohen emocionet dhe aq më e madhe bëhet përgjegjësia. Dhe kur them përgjegjësia, flas vetëm në emër të vetes, për mënyrën se si unë e konceptoj dhe ndiej këtë festë 100-vjetori. Përdor fjalën emocion, pasi padyshim që edhe unë emocionohem kur shikoj ata flamujt me shqiponjën kuq e zi që valëviten nëpër Tiranë (edhe pse do të kisha dashur të kishin qenë mbase më pak në numër, por të vendosur në një mënyrë më të bukur), por mbi të gjitha përdor fjalën përgjegjësi, pasi është kjo ndjenja me të cilën unë dua dhe përpiqem të manifestoj dashurinë dhe respektin për vendin tim.

Jam shumë dakord të dalim e të festojmë të gjithë bashkë këto ditë. E meritojmë të gjithë si popull, pasi historia ka treguar që kemi vuajtur shumë. Na janë bërë shumë padrejtësi, na janë mohuar shumë të drejta, por duhet të jemi të sinqertë dhe t’ia pranojme vetes që shumë shpesh kemi qenë të paaftë për të mbrojtur këtë vendin dhe veten tonë me dinjitet. Unë nuk dua që kjo gjë të përsëritet edhe në të ardhmen, prandaj, përveç emocioneve që më shkakton festimi i këtij 100-vjetori, ndjenja e përgjegjësisë si qytetare e këtij vendi për çfarë do të ndodhë më pas është edhe më e madhe. Ja e festuam edhe këtë 100-vjetor, po pastaj? Çfarë kontributi do të jap unë si qytetare e këtij vendi që pas 100 vitesh, 200-vjetori i Pavarësisë të na gjejë si një vend për t’u marrë shembull nga të tjerët? Një vend të cilit nga pas i atashohen fjalë pozitive, një vend që të na bëjë vërtet të ndihemi krenarë për të.

E dëgjoj shpesh të bërtitet me të madhe shprehja: “Jam krenar që jam shqiptar”. Ka pasur disa raste kur e kam pyetur personin që kam pasur përballë se për çfarë konkretisht ndihet krenar, përgjigjja që kam marrë ka qenë heshtja ose, në rastin më të mirë, belbëzimi. Nëse dikush do të më pyeste mua përse ndihem krenare që jam shqiptare, pse jam krenare për flamurin tim (edhe pse jam shumë e rezervuar në përdorimin e kësaj fjalie) do t’i përgjigjesha me një thënie shumë të bukur nga një njeri shumë i mençur, siç është Faik Konica: "Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi dhe një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. Cilat janë kujtimet që shfaq duke u valëvitur flamuri ynë? Nuk janë kujtime goditjesh kundër fqinjëve, nuk janë kujtime lakmirash dhe rrëmbimesh; janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimëri të gjata e të forta, që kanë lënë gjurmë në letërsinë e gjithë popujve të qytetëruar. Nga kjo pikëpamje mund të mburremi se flamuri ynë, siç është një nga më të vjetrit e botës, është edhe një nga më të drejtët".

Ka ardhur koha të bëhemi mbase më pak emocionalë dhe më shumë racionalë si popull. Të mendojmë për kontributin që mund të japë secili prej nesh për të mirën e këtij vendi jo me fjalë dhe parulla të mëdha, por me vepra konkrete. Është kjo dhurata që secili prej nesh mund të bëjë në këtë 100-vjetor Pavarësie, për këtë vend kaq të keqtrajtuar, por kaq të dashur për të gjithë ne.

Gëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë!


6 comments:

  1. Ke fol si burrat :D.... Gezuar Pavaresine !!!

    ReplyDelete
  2. Sa keq me vjen kur degjoj dhe shoh keto episode. Ato lote qe me rrodhen kur degjova himnin e kenduar njezeri, i lan vendin ngerdheshjeve dhe mimikave te shpifura ne fytyren time kur pash episodin e rendomte te "tortes". Turp, nuk jam ne gjendje te shpjegoj nje sjellje te tille.
    Ne shqiptaret nuk jemi njerez te keqinj, por injoranca vitet e fundit ka zene rrenje dhe ka mbytyr moralin dhe etiken. Ne jemi qinjgja para atyre qe na shkelin, jemi te respektuar me horrin, jemi te pandershem me te ndershmin, jemi shtaza ne momentin ku duhet te tregojne superioritet. Ka Dicka qe nuk me bind ne kete procedure... Me vjen keq por mendoj se ne mund te na drejtoj vetem frika!

    ReplyDelete
  3. Aulona me ke kenaqur me kete shkrim. Je nje vajze e jashtezakonshme, sa mire sikur gjithe te rinjt te mendonin dhe shkruanin si ty. Jam dakort me cdo fjale qe ke thene ne kete shkrim

    ReplyDelete
  4. Me pelqen kendveshtrimi jot dhe fakti qe nuk ke frike ta shprehesh edhe ne kete dite te vecante. Sepse ka ndryshim te madh ta duash vendin tend dhe te ndihesh verberisht krenar duke mbuluar problemet. Me videon e tortes qava. S'po komentoj me shume.

    ReplyDelete
  5. Aulona ke thene fjale me vende e dashur.Mundohemi me mish e me shpirt tju mesojm femijeve per vendin tone te dashur edhe disa njerez qe un njerez normal nuk munde ti quaj e prishin bukurin e asaj feste aq te bukur

    ReplyDelete