Saturday, November 17, 2012

Kohë krize...fjalësh të mira!


Gjithnjë e më shumë dëgjoj këto kohë njerëz që ankohen për krizën, krizën ekonomike që i ka lënë pa lekë, pa të ardhura e rrjedhimisht e ka bërë jetën më të vështirë. Jo se nuk kanë të drejtë! Madje kanë plotësisht të drejtë, edhe unë vetë e gjej veten vazhdimisht duke u ankuar për krizën, atë ekonomike; për krizën e dritave dhe të ujit (po, vazhdon të ketë edhe kështu lloj krizash, pavarësisht se jetojmë në vitin 2012); krizën e ideve, që më duket se na ka mbërthyer shumë keq të gjithëve si popull (patjetër që edhe mua, madje e vuaj shpesh këtë krizë) e lloj e soj krizash të tjera, që në më të shumtën e rasteve janë të lidhura me njëra-tjetrën, duke krijuar një reaksion zinxhir që na e ka vështirësuar jetën sa më s'ka.
E megjithatë, mes kësaj vorbulle krizash, ajo që ka filluar të më shqetësojë githnjë e më shumë, madje edhe më shumë sesa 500 lekëshi i fundit në portofol një ditë para se të marr rrogën, është kriza e fjalëve të mira. Më duket mua, apo njerëzit janë bërë shumë të ashpër këto kohë? Takon dikë që ke kohë pa e parë dhe fjalia e parë që të thotë është: "Ua, po ti përse qenke bërë kështu mi? Sa qenke dobësuar… shëndoshur… plakur… lodhur!”. Dhe dëgjon gjithçka i vjen në mendje bashkëbiseduesit tënd shumë të sjellshëm dhe të drejtpërdrejtë në ato momente. Kështu, sikur mos të të mjaftonte halli apo problemi që mund të kesh dhe që, mesa duket, e reflekton së jashtmi, të shtohet edhe një shqetësim tjetër ardhur nga fjalët e dikujt që, në vend të zgjedhë të thotë një fjalë të mirë, bën komplet të kundërtën.
Pikërisht në lidhje me këtë po bisedoja para disa ditësh me dy mikesha, njëra prej të cilave sapo ka ardhur nga Amerika. "Aman moj, sa vij këtu më duket sikur mbushem me një frymë negative", - po më thoshte. "Më ka zënë tmerri të takoj njerëz rrugës se gjëja e parë që më thonë është: Ua, po ti qenke shëndoshur shumë! A thua se nuk e di unë dhe po pres ta mësoj nga ata".
Do ishte e kotë të thosha që kjo gjë më ka ndodhur edhe mua, më ndodh përditë madje. Një herë ka të bëjë me pamjen. Vetëm ditën e djeshme u takova me një kolege, e cila sapo më pa, më tha: "Dukesh shumë e lodhur". Ngela ngushtë, jo aq për faktin që u ndjeva keq që dëgjova këtë fjali, por sepse nuk po dija si t’i përgjigjesha. Cila mund të jetë përgjigjja që i jepet dikujt që të thotë se dukesh shumë e lodhur (që ndryshe mund të përkthehet edhe: Sa e shëmtuar qenke bërë sot!)? Unë e dija që isha e lodhur, kisha punuar deri vonë dhe isha zgjuar shumë herët, kisha gati 48 orë pa gjumë, prandaj isha e lodhur! Këtë u përpoqa t'i shpjegoja edhe koleges, por ajo vazhdoi të insistonte në përdorimin e "fjalëve pozitive". “Ti ke qenë shumë e mirë kur ke qenë më e mbushur, tani se si je bërë...". Shyqyr që nuk e përfundoi fjalinë, edhe pse ajo përdredhja e surratit që bëri pasi tha këtë të fundit, sikur sapo kishte kapërdirë një kile limonë të shoqëruar me uthull e qepë bashkë, e shprehu shumë qartë idenë e saj.
E njëjta gjë vlen edhe për një shkrim, një dalje në ekran, një foto, një punë që ke bërë. Ka nga ata persona (që fatkeqësisht janë të shumtë) që e fillojnë fjalinë me fjalën e keqe, pastaj vazhdojnë me të mirën. Edhe sikur këto të fundit të jenë në shumicë dhe ajo e keqja të jetë një detaj i vogël, s'ka fare rëndësi. E keqja para, të mirat nga pas. E thënë kështu, mund edhe të tingëllojë si një gjë e bukur, por a nuk do të ishte vërtet më bukur sikur atë fjalën apo komentin e keq ta eliminonim fare? Me këtë nuk dua të them të bëhemi hipokritë apo servilë, apo të kemi frikë të shprehim mendimin tonë, por përsa kohë ky mendim nuk na është kërkuar apo nuk na sjell asnjë përfitim, përveçse do të bënte të ndihej keq personi që kemi përballë, atëherë përse mos t'ia evitojmë këtë? Po sikur të takojmë një të njohurin tonë që mund të jetë shëndoshur vërtet, ta anashkalojmë këtë detaj dhe të përqendrohemi diku tjetër? Përse në vend që t’i themi se është shëndoshur, mos t’i themi sa i shkon modeli i flokëve?
A nuk do të ndiheshit edhe ju vetë më mirë nëse do të dinit që do të kontribuonit në humorin pozitiv dhe kënaqësinë e një personi sesa në mërzitjen e tij? Mendojeni një herë se mbase do të më jepni të drejtë...




6 comments:

  1. Kete shkrimin e ke qare, si te gjithe te tjeret qe ke postuar ketu :)

    ReplyDelete
  2. zemra,kjo kolegia mos isha un:PPP ti je si shpirt moj, kur t thon dhe ty fjal negative, kanceri mu n gryk ::PP

    ReplyDelete
  3. Heren e fundit qe isha ne nje qytet te vogel Gjermani me thane se ishte miratuar nje ligj interesant per te ndihmuar riciklimin. Cdo njeri mund te mblidhte shishe uji plastike ne shtepi apo ne rruge apo kudo qe i gjente dhe nese i conte prane pikave te paracaktuara si super marketet, merrte kompensim ne leke. Ne mos gaboj ishte 50 cent per cdo shishe 0.5 L dhe 1 ose 1.5 euro per cdo shishe 1.5 L. Po mendoja gjysme me shaka tani, se po te aplikohej ndonje ligj i tille ne Shqiperi e sidomos ne Tirane, qe cdo fjale e mire shperblehet me leke, do mund te ishte e vetmja mundesi per te kthyer mbrapsht anen njerezore te popullit, rikthimin e fjaleve te ngrohta, energjise pozitive, ngrohtesise dhe optimizmit. Si qenie njerezore jemi krijuar per te bashkejetuar ne komunitet dhe nderveprimi eshte jetesor per ne. Jemi automatikisht te varur nga sjelljet dhe fjalet e te tjereve dhe kemi nevoje per vale pozitive, jo negative te ketij nderveprimi te vazhdueshem qe kemi.
    Te pergezoj edhe nje tjeter here per nje mesazh te vertete dhe te rendesishem qe shpalos ketu ne blog Aulon. Me e pakta eshte qe i ben njerezit te tundin koken ne shenje miratimi se e shohin problemin si ty dhe nje nga me te shumtat qe arrin eshte te besh dike te reflektoje, nese ka derdhur helm nga goja sot apo nje dite apo shume dite kohet e fundit.

    ReplyDelete
  4. Ahhh moj Auolna ta dish qe kriza ekonomike ka per tu zgjillur ndoshta jo me nje here por do vij dita ehde gjerat do ndryshojne.

    Por bota e njerzeve te "hillur" e te "ziliqareve" ska per te ndjerre krize ndonje here.
    fatkeqesisht!!!!!!!!!!!

    ReplyDelete
  5. Shiko e verteta eshte qe jeta eshte nje kompeticion, nje beteje e gjithmonshme mes individeve, plus njerezit udhehiqen per hundesh nga emocionet pamvaresisht se qellimet mund ti kene te mira. Une kam trashur lekuren. Nuk i ve re fare keto gjera ose kur i degjoj mendoj hmmm si e ka hallin sot X-i, spese ne 99% te rasteve keto komente NUK KANE TE BEJNE FARE me mua por me gjendjen e personit ne fjale.

    Ne Shqiperi njerezit e kalojne pak cakun me komente te tipit sa je shendoshur, qenke prishur, pse nuk lyhesh, pse nuk ben femije, sa e ke rrogen :) por them me bindje se nga ana tjeter jane gjithashtu jashtezakonisht teper sensitive. Marrin nje koment dhe e analizojne e perpunojne dhe nxjerrin konkluzione qe une habitem. Dmth harxhohet shume kohe per fjalet dhe mendimet e te tjereve.

    Kur vjen puna tek nje blog, nje reviste, nje shfaqje etj. mendoj se kritikat jane komentet me me vlere.

    ReplyDelete
  6. MOJ MOTER TI KE SHUME TE DREJTE, por mendoj se jane nje minoritet ata qe vertet nuk nxjerrin vrer nga goja, minimalisht do ta mendojne. Por une them te pakten mendoje, por mos e thuaj. Jam person optimist, e qeshur, e dashur dhe pozitive ne pergjithesi dhe i kursej fjalet e keqija. Nese s'kam dicka te mire per te thene me mire s'flas fare.

    Me thene te drejten gjate koheve te fundit, sidomos keto 3-4 muajt e fundit njerezit me kane komplimentuar dhe kane thene fjale te mira sesi dukem, se shume prej tyre e kane lidhur me nurin e shtatzanise, apo fjale te natyres "te shkon shtatzania", "te zbukuron shtatzania" etj. Megjithate ka edhe nga ata (ato) qe me kane thene "sa elegante qe je", "je shume e dobet per faktin qe je shtatzane", "e ke barkun shume te vogel", etj. etj. Keto fjale mbase 1-3 here s'te bezdisin por nese vazhdojne te vene pak ne merak, sepse tani une jam me e ndjeshme se zakonisht dhe se nuk eshte vetem shendeti im qe duhet konsideruar por edhe ai i femijes qe mbaj ne bark. E verteta eshte qe une femijen e kam top fare dhe rritet ashtu sic duhet dhe fatmiresisht jam nje nga ato femra qe deri tani qe hyra tek muaji i 7-te nuk kam shtuar shume ne peshe dhe e gjithe pesha i ka shkuar bebit & barkut. Keshtuqe ne raste te tilla, kam mesuar te shoh perpara dhe te injoroj. Kane nje fjale te thjeshte te urte, popullore Amerikanet "Take it with a grain of salt", qe nese e Shqiperoje do te thoshte "Lezetoje ate qe te thone me pak kripe". Nejse, une mund te shkruaj shume gjate per kete teme por boll se ideja ku doja te dilja, besoj se u kuptua. =)


    Pac nje jave te mbare ne vazhdim!! <3 A.

    ReplyDelete