Tuesday, September 10, 2013

Arjon Muca: Arsyeja perse u largova nga “E diela shqiptare...”

 Sic ju kam premtuar, here pas here ne blog do t'ju sjell intervista me personazhe te ndryshem shqiptar; intervista qe per mua ja vlejne te  lexohen, intervista qe mua te pares me kane pelqyer dhe qe mendoj se i sjellin personazhet ndryshe nga sa jemi mesuar t'i shohim deri tani. Intervista e Arjonit eshte njera nder to. Kam degjuar shpesh qe Arjoni te cilesohet si nje djale mendjemadh, apo si i themi ne ne gjuhen popullore "pordhac"...Ne te vertet ai eshte krejt e kunderta e ketij etiketimi. I thjeshte, modest, me kembet ne toke dhe shume i cilter ne pergjigjet e tij, jam e sigurte qe ne kete interviste do t'ju beje per vete :)



Arjon, më the që sapo erdhe nga shkolla. Nuk e dija që po ndiqje një universitet. Na trego diçka më shumë.
-Si more nuk e dinit ju? Unë kam mbaruar vitin e tretë për degën “Marrëdhënie me Publikun” dhe këtë vit kam masterin, por vajta të regjistrohem sepse kam nja katër provime pa dhënë nga vitet e mëparshme.

Vetëm katër provime, kaq pak? Pse nuk thua ti që qenke student i mirë…
-Po, jam në fakt, vitin e parë dhe të dytë madje e kam pasur tetë me fuqitë e mia (qesh). Kam qenë i rregullt në mësim, mbaja shënime rregullisht dhe dilja mirë nëpër provime. ndërsa vitin e tretë për shkak edhe të impenjimeve që u rritën, duke qenë se isha pjesë në “E diela shqiptare”, ia vara pak, me idenë që shkolla është ajo që të shërben për të të dhënë punë në të ardhmen, unë tani e kam punën, kështu që nuk do të kishte kuptim që mos t’i dedikohesha totalisht asaj, duke qenë se shkollën mund ta bëja edhe një vit më vonë. Gjithsesi, një prej tre  lëndëve që kam lënë është anglishtja, duke qenë se unë nuk kam studiuar anglisht kur kam qenë në Itali, vetëm çfarë kam bërë një kurs privat dhe gjithmonë e kam pasur me frikë dhe stres anglishten si lëndë, por besoj se do kalohet lehtë nuk është ndonjë problem i madh.

Përse ke zgjedhur marrëdhënie me publikun?
-Po unë për juridik as që nuk e kam haberin, për ekonomi jo, unë gjithmonë i mirë kam qenë në lëndët sociale, edhe në gjimnaz kam studiuar për fotografi, pikturë, skulpturë, kështu që jam më shumë nga pjesa sociale dhe artistike. Plus që mendoj se është një degë që më ndihmon edhe me profesionin tim  në televizion.

D.m.th të ardhmen tënde e shikon ngushtësisht të lidhur me televizionin dhe shkollën po e bën në funksion të këtij qëllimi, jo thjesht një shkollë sa për të pasur një diplomë?
-Ti po thua një shkollë kështu kot, sa për ta thënë si muhabet tavoline. Si është ajo barcaleta, që e pyesin dikë në tavolinë nëse ka mbaruar shkollë dhe ai i përgjigjet: Po, patjetër! Dhe kthehet nga e dashura: Çfarë shkolle kam mbaruar unë zemër? Jo, unë nuk jam si ky djali i barcaletës. Unë mendoj se shkolla duhet sepse të plotëson më shumë edhe si njeri. Nuk është njësoj dikush që ka mbaruar vetëm tetëvjeçaren ose të mesmen me dikë që ka mbaruar studimet e larta dhe është profilizuar në një drejtim të caktuar. Unë të ardhmen time e shoh vetëm të lidhur me televizionin, por nëse do të më mbyllen të gjitha duart, madje edhe te televizioni i fundit që mund të jetë në lagjen Çole në Vlorë (qesh), atëherë do t’i dedikohem totalisht asaj që kam studiuar, që është jo vetëm një profesion shumë i bukur, por edhe fitimprurës.

Po ta lëmë pak shkollën se nuk është kjo arsyeja që u takuam. Në këtë fillim-shtatori, kur kanë dalë emrat e lëvizjeve të para që bëhen në ekran, është folur edhe për largimin tënd nga “E diela shqiptare”. Sa i vërtetë është ky lajm?
-Po, patjetër që është i vërtetë, sepse e ka thënë vetë Arditi në puntatën e fundit të “E diela shqiptare”, kështu që nuk ka asnjë thashethem në këtë mes. Ky ka qenë një vendim që e kemi ditur që më përpara, unë e dija, Arditi po, stafi gjithashtu, vetëm publiku nuk e ka ditur (qesh).

Po atëherë le të informojmë edhe publikun. Pse u mor ky vendim, që ti të largohesh nga “E diela shqiptare”?
-Patjetër që edhe publikut do t’i japim një shpjegim, aq më shumë atij publiku që më respekton dhe më do aq shumë. Unë jam i lumtur që publiku më në fund e ka harruar atë djalin e vogël që doli nga “Big Brother”, një djalë çapkën, që i pëlqenin femrat dhe ka kuptuar që tani jam një djalë i rritur dhe i përgjegjshëm, që di t’i përkushtohet punës dhe familjes. Vendimi u mor sepse u mbyll cikli, unë çfarë kisha për të dhënë e dhashë në atë spektakël, që gjithashtu më dha shumë mua.

U ndjeve keq që u largove?
-Shiko, unë tek  “E diela shqiptare” kam gjetur familjen. Arditi e thotë shpesh këtë fjali gjatë emisionit, por më besoni që kjo është shumë e vërtetë. Patjetër që më erdhi keq, për gjithë emocionin që të jep ajo skenë kur ngjitesh në të, për publikun e mrekullueshëm që kishim në skenë dhe që e jeton emisionin në çdo moment të tij, për publikun që e ndjek nga shtëpia. Për të mos folur pastaj për faktin që nuk do të kem më Arditin në krah. Ja si thua ti, është e lehtë t’i thuash mirupafshim Arditit, duke e ditur që nuk do ta kesh më në krah?

Të kuptoj shumë mirë, sepse po flet me një vajzë që është rritur duke ëndërruar të jetë në krah të Ardit Gjebreas. Ti të paktën ëndrrën e bëre realitet. Më trego pak, si e ke njohur Arditin përpara se ta kishe partner në skenë?
-Unë Arditin për herë të parë e kam njohur në ‘96-‘97-n kur zbriti në skenë me një parashutë. Unë në atë kohë kam qenë fëmijë, shikoja filmat vizatimorë në Itali ku personazhet bënin gjëra të çmendura dhe kur një personazh real bën të njëjtën gjë, normale që do të shndërrohet në idhullin tënd (qesh). Më vonë mësova që ky ishte Ardit Gjebrea dhe që ishte ai që këndonte “Makina e memorias” që unë e dija përmendësh dhe që për më tepër kisha një lidhje të fortë. Unë si fëmijë bëja një lidhje: makina që ishte marrë për videoklipin e “Makina e memories” ishte makina e shokut të ngushtë të babait tim, d.m.th unë mendoja që Arditin e kisha njeri shumë të afërt për sa kohë kishte marrë makinën e shokut të ngushtë të babait tim (qesh).

Me këtë do të thuash që paska qenë e shkruar që në një pikë të jetës rruga jote të kryqëzohej me atë të Arditit?
-Po sa veta mund ta kenë parë skenën me parashutë e sa miq të tjerë mund të ketë pasur ai shoku i babit tim që kishte makinën, thua për të gjithë të ketë qenë e shkruar të takoheshin në një pikë me Arditin? Jo, jo nuk e besoj kështu. Unë mendoj se ndonjëherë ti je në vendin e duhur, në momentin e duhur dhe gjërat ndodhin. Kohë më vonë, kur u kthyem bashkë me familjen në Shqipëri, pasi kishim jetuar për 15 vjet në Itali, jam takuar sërish në atelien e familjes time dhe kemi qëndruar gjatë duke biseduar. Më bëri përshtypje sa i thjeshtë, i çiltër, i edukuar ishte, më bëri të ndihesha shumë komod në bisedë më të. Ndërkohë që ndryshoi komplet muhabeti kur e kam takuar pastaj sërish në Klan. Mbaj mend si tani kisha të veshur një këmishë gri dhe të them që në pesë minuta më është bërë blu nga djersa, aq i emocionuar isha.

Po pse ky ndryshim?
-Po sepse Arditi në atelie dhe në kafenë ishte thjesht Arditi, ndërsa në Tv Klan ishte Ardit Gjebrea dhe Ardit Gjebrea të vë në pozitë, sepse ai është Golia dhe ti je Davidi i vogël (buzëqesh).



Përveç gjithë gjërave të mira që ka Arditi, ka ndonjë gjë që në këto dy vite punë nuk të ka pëlqyer edhe aq shumë tek ai?
-Të paktën fillimisht unë mendoja që ai ishte tej mase i dedikuar pas punës. Në çdo orar të shkoje në punë ai ishte aty. unë shkoja në punë, lëvizja që aty, kthehesha prapë dhe Arditin gjithmonë e gjeja në zyrën e tij. Por ka dhe një gjë Arditi ama, si pa kuptuar të injekton atë pasionin dhe dashurinë për punën, aq sa edhe pse në fillim mendoja se si ka mundësi që ky njeri punon kaq shumë, në fund e kuptova që është pikërisht ky vullnet për punën që e ka bërë të jetë aty ku është sot dhe të ketë atë emër që ka.

D.m.th për ta qartësuar mirë dhe përfundimisht nuk ka pasur asnjë sherr apo zënkë mes jush, se të paktën në Shqipëri jemi mësuar që bashkëpunimet zakonisht përfundojnë me sherre të mëdha. Aq më shumë që Andresa do të vazhdojë të jetë edhe këtë sezon, ndërsa ti jo…
-Jo, nuk ka asnjë sherr në mes, absolutisht. Te Klani dhe tek “E diela shqiptare” gjërat ndryshojnë gjithmonë dhe vazhdimisht. Unë nuk jam as nga Brazili, as ngjyrë çokollatë dhe as aq i çuditshëm në sytë e publikut (qesh) sa të mbaj një vend pune për katër vjet. Nuk është se unë e kisha emisionin tim “E diela shqiptare” dhe njerëzit u habitën si e lashë emisionin. Unë isha një pjesë e vogël, por që u pëlqye si nga Arditi fillimisht edhe nga publiku më pas, por që aq e pati rrugën e tij. Nëse do të kisha vazhduar më tej, thjesht do të kishte qenë e stërmunduar dhe e sforcuar. E rëndësishme është që unë jam ndarë si mik i mirë me të gjithë stafin dhe i jam mirënjohës për mundësinë që më dha.

Tani që nuk do të jesh më pjesë e emisionit, ke menduar për hapin e radhës? Ndonjë projekt që pret të realizohet?
-Shqiptarët në përgjithësi dhe veçanërisht njerëzit e televizionit janë mësuar të japin përgjigjen e gatshme: Jam duke shqyrtuar ofertat. Unë nuk gënjej dhe them që nuk kam asnjë ofertë konkrete, nuk po shqyrtoj asgjë, jam thjesht duke biseduar me miqtë që kam nëpër televizione të ndryshme, për ide dhe projekte të reja ku mund ta gjej veten, por nuk ka asgjë konkrete. Nëse do të ketë, të jap fjalën që do të jesh e para që do ta marrësh vesh.

Mendon se në Shqipëri është e vështirë të bësh televizion dhe të gjesh hapësirat e duhura?
-Është e vështirë, shumë madje, sidomos për një njeri që do të eci përpara dhe ka disa rregulla që nuk do t’i thyejë. Megjithatë kam parë edhe disa ambiente ku të paktën vlerësojnë të qenit njeri me norma, njeri i edukuar dhe që përkushtohesh ndaj punës pa bërë kompromise.

Jemi mësuar të dëgjojmë për vajzat e bukura që marrin propozime dhe ngacmime nga shefat e tyre. Po ty, duke qenë një djalë mjaft simpatik, të ka ndodhur ndonjëherë të të bëjë ndonjë propozim ndonjë femër, për të fituar një vend pune?
-Unë, për fat të mirë, nuk kam pasur shefe femra, kështu që kam shpëtuar nga këto propozimet e frikshme që thua ti (qesh). Jo, nuk më ka ndodhur.

Nëse ti vetë do të kishe në dorë të zgjidhje një format për të prezantuar, cili është ai që të pëlqen më shumë dhe që mendon se do ta bëje më mirë?
-Një format rinor, që të jetë pak a shumë stili dhe mosha ime, pasi ende nuk ndihem gati dhe mjaftueshëm i pjekur nga ana intelektuale për të marrë në pyetje një politikan ose dikë që mund të jetë dy-tre herë më i kualifikuar se unë në fushën e tij. Më pëlqen shumë edhe puna në terren, për mua është puna më e bukur.

Arjon, që je një djalë shumë fotozhenik kjo është një gjë e dukshme dhe dihet. Tani që e mendoj, pse nuk të kemi parë ndonjëherë në ndonjë film?
-Po se nuk kam marrë ndonjëherë ndonjë propozim për të luajtur në një film prandaj (qesh). Mua do të më pëlqente shumë, madje nëse dikush e lexon këtë intervistë, përfitoj nga rasti t’i them që nëse i duhet ndonjë aktor për të interpretuar në ndonjë film, ndoshta ndonjë personazh vlonjate, më kanë mua. Zani Çaushin p.sh. them se do e bëja mirë, meqë më thonë edhe që i ngjaj (qesh).

Kam dëgjuar shpesh të të konsiderojnë si djalë të përkëdhelur dhe që shumë dyer të janë hapur prej familjes dhe mbiemrit që mban, duke i pasur kështu shpatullat e ngrohta…
-Po, kjo është e vërtetë (qesh). E ç’të keqe ka këtu? Kush nuk do të donte të kishte një familje si ajo e imja? Unë kam një familje të konsoliduar, dy prindër që duhen, të suksesshëm në punën e tyre, një atmosferë familjare shumë pozitive dhe kur shkoj të kërkoj diku punë, kam me vete mbiemrin Muça që gjithmonë respektohet. Kjo është një letër rekomandimi, le ta quajmë kështu. Të gjithë e kanë një të tillë, nga shefi, nga miku, nga një bashkëpunëtor apo nga dikush tjetër. Unë e kam nga prindërit, sepse ata kanë treguar që janë korrekt dhe të saktë në punët që bëjnë.


E nëse në planin profesional është një periudhë paqartësie dhe konfuzioni, gjërat po shkojnë mirë në planin privat. Historia jote me Vjolën vazhdon të jetë e fortë dhe solide. Dhe natyrshëm lind pyetja, si ia keni dalë mbanë? Aq më shumë kur për çiftet e showbizit duket se është gjithmonë e vështirë të qëndrojnë gjatë në një lidhje…
-Po ti e the shumë mirë, dy personazhe të showbizit…Po nuk e cilësove veten si personazh showbizi, por si një njeri normal dhe i thjeshtë, siç jemi ne të dy, por që thjesht puna jonë është e lidhur me televizionin, është njësoj si të thuash p.sh, si ka mundësi që në botën e bankierëve, vajzat që punojnë aty ndahen shpesh nga të dashurit (qesh).

E megjithatë, sado që ju ta konsideroni veten të thjeshtë, për publikun nuk jeni të tillë, për sa kohë dilni në ekran..
-Unë e vlerësoj shumë këtë gjë, por kjo nuk ka përse të na bëjë ne ndryshe nga ana sentimentale. Ashtu siç ndahet Monica Belluci me bashkëshortin e saj, që janë të dy yje Hollivudi, ashtu mund të ndahet edhe Tefta, komshija ime, me burrin. Patjetër që bota e televizionit mund të të ndeshë përballë femra dhe meshkuj më të bukur, me të cilët ti të jesh në kontakt, por kur ti gjen një femër të bukur që ka edhe gjëra të tjera të mira plot, ose më saktë kur ti gjen një femër që ka shumë gjëra të mira, por ka edhe bukurinë, atëherë thua: Kjo është e imja dhe nuk do ta lë të ikë. Ndihesh i plotësuar dhe vetëm po të jesh budalla ta lësh të ikë.

Meqë nuk e kemi Vjolën këtu, cila është ajo gjë që në katër vite vazhdon të të acarojë nervat më shumë se çdo gjë tjetër te Vjola?
-Jo, unë madje do them një gjë që më pëlqente shumë te Vjola por që ajo e ka ndryshuar (qesh). Kur unë e kam njohur Vjolën ajo ka qenë shushkë, siç thonë korçarët, dhe unë e adhuroja atë shushkllëkun e saj ose, thënë ndryshe, naivitetin. Edhe pse nuk ka qenë  ndonjëherë naive në plot kuptimin e fjalës, është thjesht e ndrydhur kur i njeh njerëzit fillimisht. ndërkohë që tani është bërë shumë më e hedhur, më çapkëne, sepse edhe është rritur. Dhe unë me të qeshur i them: Bëhu ndonjëherë shushkë se nuk bën keq (qesh).

Kohët e fundit gjithmonë e më shumë flitet për femra materialiste, të cilat po nuk pate një makinë të mirë dhe po nuk u veshe me firmato,  nuk t’i hedhin fare sytë…Ty që ke një Smart, të vjen ndonjëherë inat për këtë gjë?
-Jo, fare dhe e di pse? Sepse shikoj që femrat që janë me ata me makina të bukura dhe të shtrenjta, më shikojnë mua me Smart (qesh). Femra duhet gjithmonë ta vlerësojë partnerin dhe mashkull nuk të bën as makina, as portofoli, as sa rëndë flet me njerëzit. Femra shikon sa korrekt je, sa investon për marrëdhënien, sa e bën të lumtur etj. Sigurisht që ka dhe femra materialiste, por në fund të fundit njeriu bën zgjedhjet e veta në jetë.

Për ta mbyllur si shqiptarët, kur do martohesh ti me Vjolën?
-Kur të piqen kushtet. Unë dua që kur t’i kërkoj dorën Vjolës të kem një bazë jo vetëm emotive, të cilën e kam dhe që po ndërtohet çdo ditë e më shumë, por të ketë edhe një bazë ekonomike që mos të jetë vetëm ajo e të jetuarit dhe boll, por të jetë ajo e të jetuarit shumë mirë, sepse Vjola e meriton, po ashtu dhe unë. Prandaj për sa kohë të jemi ende duke studiuar punët dhe mundësitë që na ofrohen, i bie që jemi ende të pasigurt për të ardhmen, prandaj do të jemi më të kujdesshëm kur të shqyrtojmë detajet. Nuk ka arsye për t’u nxituar.



8 comments:

  1. Djale i zgjuar dhe king. Interviste e kendshme.

    ReplyDelete
  2. Shume interviste e bukur,po ky Arjoni me duket shume cun mamaje,non mi dice niente si person.
    M.

    ReplyDelete
  3. Shume interesante kjo rubrika, dhe intervista e bukur. Shume te thjeshta dhe terheqese si pyetjet dhe pergjigjet

    http://www.theromrom.com/2013/09/celine-who.html

    ReplyDelete
  4. Hahahhaha sa kam qeshur te pjesa kur tregonte per Vjolen

    ReplyDelete
  5. interesante si interviste
    sa i mir qe eshte ky mo ejjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjj :p

    ReplyDelete
  6. me kemb ne toke tani normale se dhe mosha ben te veten,me pelqen shume fjalet qe thone per vleresimin ndaj violes urime te dyve ,intervista shume e bukur.stela

    ReplyDelete
  7. Sa pozitiv! Per t'u pergezuar! :)

    ReplyDelete